Grupi i tifozëve të Teutës “Djemtë e detit” dhe tifozët lushnjarë “Delegatët” janë mbledhur në një lokal të qytetit bregdetar për të festuar së bashku, në shenjë solidariteti dhe miqësie mes tyre.
Ndeshja e zhvilluar sot në “Niko Dovana” u mbyll në barazim 2 me 2, por vëmendjen e medieve e tërhoqi një episod, kur tizofët lushnjarë u konfrontuan me policinë e Durrësit.
Sipas një tifozi durrsak, pjesë e “Djemve të detit”, tifozët nga Lushnja shanë gjyqtarin e ndeshjes Emirjon Simo, pasi për ta ishte ‘person non grata’. Në këto kushte gjyqtari ndërpreu ndeshjen, ndërkohë që 8 tifozë lushnjarë u shoqëruan në komisariat.
Një prej tifozëve durrsakë, që ka dërguar edhe një foto në redaksinë e DurrësLajm, thotë se në shenjë solidaridariteti me miqtë nga Lushnja, pas ndeshjes, grupi “Djemtë e detit” ka shkuar në komisariatin e policisë së Durrësit dhe ka pritur lirimin e 8 tifozëve të shoqëruar.
Më pas, për të festuar, ata janë mbledhur në një lokal në Durrës ku kanë pozuar me shenjat dalluese të ekipeve respektive dhe kanë kënduar këngë për kombëtaren shqiptare të futbollit.
M.B.





