Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për shtyp tha se brenda partisë nuk ka përçarje. Ai gjithashtu kërkon që të mos ketë sharje dhe ofendime ndërmjet anëtarëve të kësaj force politike.

 Pasi doli fitimtar në një proces ku ishte kandidat i vetëm, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje doli në një konferencë për media. Albin Kurti në fjalën e tij theksoi se do të jetë kryetar i të gjithëve. Ai mohoi zërat se Vetëvendosje është e përçarë.

“Në Vetëvendosje nuk ka ndarje, ka disa dorëheqje të aktivistëve të cilët janë të zëshëm dhe me përgjegjësi të larta zyrtare. Mbajtja e zgjedhjeve të lira demokratike në VV është obligim statusor por edhe vullnet i organeve”.

 Kruti në konferencë theksoi se nuk është as shef e as pronar i Vetëvendosjes.

“E kam vullnetin e hekurt, më nuk e kam dorën e hekurt.  Në platformën e prezantuar kam thënë se e dua një organizatë ku inkurajohet kritika dhe vetëkritika, poashtu një organizatë ku nuk duhet të ketë sharje ofendime, abuzime nga ata e janë më lartë në hierarki. Në VV nuk jam as shef as pronar, sepse VV nuk është kuzhinë që ketë shef, dhe as pronë të ketë pronar. Nuk duhet asnjëherë të më shohin si dikush që përdor dorë të hekurt ndaj dikujt tjetër”.

Duke iu rikthyer çështjeve jashtë partisë që drejton, Kurti nënvizoi se Kosova nuk mund të cilësohet plotësisht si vend Sovran, pasi nuk ekziston ushtria dhe Mitrovica është e ndarë.