Specialistët për hetimin e krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L.H. 34 vjeç, banues në Berat.
Në kamionin e drejtuar nga 34-vjeçari, efektivët e kufirit kanë gjetur të fshehur dy shtetas.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 22.30 të së dielës. 34-vjeçari priste të inbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, por kontrolli i policisë e ka ‘nxjerrë zbuluar’ dhe i ka kushtuar lirinë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit “u gjetën të fshehur shtetasit Xh.V. dhe A.L. me qëllim kalimin e kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme”.
Krahas arrestimit në flagrancë të drejtuesit të kamionit, policia e kufirit në Durrës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy shtetasit Xh.V. 38 vjeç, banues në Berat dhe A. L. 35 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Në të njëjtën formë, të fshehur në kamionë, shumë shqiptarë tentojnë të kalojnë në mënyrë ilegale në Britaninë e Madhe, por në portin e Durrësit ky mund të jetë rasti i parë i konstatuar, të paktën vitet e fundit.
Zakonisht forma më e zakonshme e kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme në portin e Durrësit është ajo me dokumente false. Jo të pakta kanë qenë rastet kur gjatë vitit 2017 dhe në janar të 2018, janë ndaluar në port disa shtetas, sidomos nga Kosova, me pasaportë apo mjete identifikimi false.
M.B.





