Një tjetër skemë ka dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e 1 nëntorit të viti 2015, ku dy shqiptarë, kushërinj mes tyre, Aranit Imsajlukaj, 29 vjeç dhe Albert Jakupaj, 19 vjeç humbën jetën si pasojë e vënies së zjarrit në një lokal bastesh sportive në Imperia, Itali.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot, një prej pronarëve ka pranuar fajësinë e tij se kishte porositur tre djem shqiptarë që t’i vinin zjarrin lokalit për të përfituar siguracion 120 mijë euro nga shteti, duke mos menduar fundin tragjik.

Mediet lokale shkruajnë se vetëm njëri prej pronarëve ka pranuar fajësinë dhe do të përballet me procesin, ndërsa të akuzuarit e tjerë do të përballen me një vendim pas disa muajsh. Në ngjarjen që i mori jetën dy shqiptarëve është përfshirë dhe i afërmi i Aranitit dhe Albertit, Mretjevi, që direkt pas ngjarjes u arratis por u kap më vonë dhe u dënua me 18 muaj burg.

Ngjarja ndodhi rreth dy vite më parë në orët e para të mëngjesit, ku tre shqiptarët i vunë zjarrin një lokali bastesh në Liguria. Një nga kanoçet me benzinë që u përdor për t’i vënë flakën lokalit, i shpërtheu Albert Jakupajt në dorë, duke e lënë atë të vdekur në vend ndërkohë që u plagos shumë rëndë shqiptari tjetër i tij Aranit Ismajlukaj, i cili gjithashtu ndërroi jetë.