Policia e Kosovës ka zbuluar në një lokal nate 11 femra të huaja që punonin ilegalisht. Operacioni i policisë është zhvilluar natën ndërmjet 17 dhe 18 janarit ka realizuar një kontroll në një lokal nate në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.
Gjatë realizimit të këtij kontrolli, zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe kanë ndaluar disa femra të cilat besohet se po qëndronin në mënyrë të kundraligjshme, në kundërshtim me dispozitat e ligjit për të huaj, duke ushtruar veprimtari të ndryshme, duke punuar si valltare etj.
Femrat ishin tre nga Serbia dhe tetë nga Shqipëria. Ato janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të huaj, me qëllim të vërtetimit të identitetit të tyre si dhe deri në kompletimin e procedurave të tjera të depërtimit të tyre nga territori i Republikës së Kosovës.
Janë kontrolluar dhe legjitimuar rreth dyzet persona (klientë) të pranishëm tek të cilët janë gjetur: 2 revole, tri shufra metali, një boks metali, dy thika dhe një sprai.
“Zyrtarët policorë kanë kontrolluar edhe pjesët përcjellëse të këtij objekti, edhe në katet e tjera, ku në katin e dytë është identifikuar një kazino që operon pa leje pune”, thuhet në një njoftim nga Policia.