Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar vrasjen e Oliver Ivanoviçit dhe ka bërë thirrje që kjo vepër të mos përdoret nga askush për axhenda të ndryshme politike nga kushdo qoftë.
“Që nga momenti i marrjes së këtij lajmi, institucionet e vendit kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Janë ende në punë. Ne e dënojmë këtë krim dhe çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë vepër makabre për agjenda politike nga kush doqoftë. Për hetimet mund të ftojmë edhe FBI”, ka thënë Haradinaj.
Këto komente kryeministri i Kosovës i ka bërë pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, pas vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Liri, demokraci, drejtësi në veri Oliver Ivanoviç.