Ish-kryeministri është nisur drejt Gjermanisë për shkak të përkeqësimit të shëndetit, pas më shumë se një jave i shtruar në spital për shkak të gripit i cili e ka rënduar.
Bëhet fjalë për kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, i cili është shoqëruar nga vëllai dhe djali i tij, shkruan Gazeta Express.
Mësohet se gjendja shëndetësore e liderit opozitar është pak më serioze – sesa një grip i zakonshëm sezonal pasi ai nuk është në gjendje të lëvizë, ndërsa për t’u rehabilituar plotësisht duhet të kalojnë muaj të tërë
Sipas burimeve të gazetës, mjekët dyshojnë se kryetari i LDK-së është prekur nga sindroma “Guillain-Barré syndrome”. Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.
Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lërë pasoja.
Ish-kryeministri nuk është në rrezik jete, mirëpo, për shkak të trajtimit me vonesë të gripit, gjendja shëndetësore i është komplikuar seriozisht.