Një 28-vjeçar i ka bërë pritë një 31-vjeçari në qytetin e Lezhës, me qëllim eliminimin e tij, por tentativa e shtetasit me inicialet A.P. ka përfunduar vetëm me një plagosje.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lezhë. 28-vjeçari me inicialet A.P. ka qëlluar 31-vjeçarin me inicialet V.Z, i cili ndodhej pranë një lokali. Fatmirësisht plumbat vetëm e kanë plagosur të riun. Aktualisht 31-vjeçari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, 28-vjeçari është larguar pasi ka qëlluar dy herë dhe automjetin e tij të tipit Ford, e ka braktisur në Kurbin.
Policia ka nisur kërkimet për të kapur atentatorin.
Njoftim i policisë:
Më datë 03.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe punohet për kapjen e shtetasit A.P, vjeç 28 banues në Barbullojë e Re, pasi dyshohet se në lagjen “Gurra” përballë një lokali ka tentuar ta vrasë me armë zjarri shtetasin V.Z vjeç 31, banues në Lezhë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Me cilësinë e provës materiale janë gjetur e bllokuar 2 gëzhoja me kalibër 7.65 mm dhe mjeti tip “Ford” i braktisur në Kurbin, me të cilin është larguar autori. Nenet 76, 22 e 278 të Kodit Penal.





