Tre shqiptarë janë arratisur nga qelia e tyre e paraburgimit rreth mesnatës në zonën e Atikës në Athinë. Njëri prej shqiptarëve është i akuzuar për vrasje kurse dy të tjerët për trafik droge.
Sipas informacioneve të para të mediave greke, të burgosurit sharruan shufrat e hekurit të dritareve të qelive të tyre në katin e dytë të burgut dhe përdorën çarçafë për të zbritur. Ende nuk dihet se si të burgosurit arritën t’i çajnë hekurat dhe të largohen pa u vënë re nga gardianët.
Së bashku me tre shqiptarët, tentoi të arratisej edhe një gjeorgjian i cili ndodhej gjithashtu në qelitë e paraburgimit. Por tentativa e tij dështoi dhe u arrestua në oborr nga rojet e burgut.
Informacionet nga shtypi grek thonë se tre shqiptarët dhe gjeorgjiani po mbaheshin në një dhomë gati për t’u transferuar në Gjykatë. Për momentin emrat e tyre nuk janë bërë publik.
Policia ka nisur kontroll masiv në të gjithë zonën përreth burgut për të kërkuar gjurmë të shqiptarëve të arratisur.





