Sherret e shqiptarëve teksa i parakalojnë me makinë nuk ndodhin vetëm në vendin e tyre, por edhe jashtë.
Një ngjarje e ndodhur në San Lazzaro të Italisë ka çuar në pranga një shqiptar 30 vjeç, i cili ka terrorizuar një grup prej 4 djemsh të rinj që po udhëtonin me një tjetër mjet. Shkak u bë një debat për çështjen e përparësisë në qarkullim.
30-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, doli me furi nga makina dhe iu sul të rinjve. I detyroi të zbrisnin poshtë, dhe njërin prej tyre kërkoi ta gjunjëzonte. “Në gjunjë, ose të zhduka”, i tha teksa i drejtori një armë në kokë, raportojnë mediet italiane.
Të detyruar nga frika e armës, grupi i 4 të rinjve iu bindën shqiptarit, por duke përfituar nga një çast që ai u kthye të shihte nëse po e vrojtonin, ia mbathën me vrap.
Shqiptari më pas u zbulua nga kamerat e sigurisë dhe u kap nga policia disa metra larg vendit të përplasjes. Gjatë kontrollit iu zbulua edhe arma, por rezultoi se ajo ishte vetëm një armë lodër, por që dukej si e vërtetë. Shqiptari pritet të vihet përballë drejtësisë.





