Një gomone me drogë është ndaluar në Adriatik, ndërsa kanë rënë në pranga tre shqiptarët që ishin në bordin e mjetit. Ka qenë policia shqiptare dhe ajo italiane që kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit lundrues, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar antidrogë.
Pas një hetimi të gjatë dhe informacionesh operative të marra dhe shkëmbyer midis Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, falë koordinimit të veprimeve mes dy policive rreth orës 20.00 u finalizua operacioni antidrogë i përbashkët ku u ndalua dhe u sekuestrua një gomone në zonën e Salentos, mes San Cataldo dhe Sant’Andrea (Provincia di Lecce).
Avioni i Guardia di Finanza është vënë në ndjekie të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut.
Gomonia rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo ishte e ngarkuar me lëndë narkotike të llojit marjuanë. Sasia e lëndës narkotike ende nuk dihet pasi nuk është peshuar akoma. Ndërsa, policia bën me dije se nuk mund të japë detaje të mëtejshme për shkak të sekretit të hetimit me palën italiane.





