Interi nuk fiton një 90-minutësh, që nga sfida me Cheivon, ku e bëri me rezultat të thellë 5-0, por Luciano Spalletti nuk e pranon kurrësesi, që skuadra e tij të jetë në krizë. Në intervistën e lëshuar vetëm disa orë para sfidës së fundit të 2017-ës, me Lazion, tekniku zikaltër foli për momentin aktual të skuadrës, modulin, merkaton etj. Interi në krizë: Nuk besoj se ka krizë. Është e vërtetë që na kanë munguar rezultatet, por jo loja. Nëse flasim për momente dobësie, veçoj vetëm sfidën me Pordenonen dhe pjesën e dytë me Udinesen. Nuk mund të pranoj se jemi në krizë, ndaj Sassuolos humbim 1-0, por krijojmë raste shënimi pafund. Nuk mund të flasim për krizë, nëse humbim derbin 1-0 dhe eliminohemi, ndërkohë që I patëm mundësitë të shënonim dhe ta mbyllnim sfidën brenda 90-minutëshit. Mendoj që kemi të bëjmë me një moment mungese fati dhe disi edhe qetësie. Lazio: Është një skuadër që po zhvillon një kampionat të shkëlqyer, por të njëjtën gjë mund të them edhe për Interin, përderisa jemi sipër tyre në renditje. Nesër do të jetë një sfidë shumë interesante, por kam bindjen se do të arrijmë të marrim 3-pikët në këtë takim.
Moduli i lexueshëm: Është e vërtetë që loja jonë është e përqendruar kryesisht nga krahët dhe duhet të bëjmë më shumë për të sulmuar nga qendra. Por, ky është moduli më i mirë për futbollistët që kam. Gjithsesi, mendoj që mund të përmirësohemi më shumë, në lidhje me mënyrën se si e tentojnë golin. Merkato: Flitet shumë për largimin në janar të Joao Cancelos dhe Joao Marios, por mund të them se ëpr çdo gjë do të vendos unë me Ausilion dhe Sabatinin. Vetëm lojtarët që do të vendosim ne, do të mund të largohen, pavarësisht fjalëve të menaxherëve dhe dëshirave të ekipeve të tjera. Cancelo është një mbrojtës mjaft i mirë në fazën ofensive, ndërsa po përmirësohet nga dita në ditë edhe në pjesën defensive. Besoj se mund të shndërrohet një nga më të mirët në atë rol dhe është në rrugë të mbarë.





