Largimi nga Teuta ishte miqësor dhe me respektin që mbetet, megjithatë ai rrezikon të rezultojë shumë i hidhur për karrierën e Nijas Lenës. Pas aktivizimit në Durrës, mesfushori nga Struga plotësoi numrin e dy skuadrave, maksimumi sipas rregullores, me të cilat një futbollist mund të luajë brenda një sezoni.

Kjo për faktin se deri në muajin korrik, Lena luajti me Kukësin, duke marrë pjesë në kualifikueset e Champions, kur në fakt sezoni i rregullt mbyllet në muajin qershor. Kjo situatë bën që vendimi të mos jetë i mirëmenduar, edhe sepse tashmë 31-vjeçari rrezikon të mbetet pa luajtur për gjysmën e dytë të sezonit.

Të paktën në Kategorinë Superiore, ku për shërbimet e tij interesohet Vllaznia. E njëjta gjë vlen edhe për disa liga, megjithatë Lena ka disa opsione për të vazhduar karrierën dhe që ky sezon të mos quhet i përfunduar përpara kohe.

Një zgjidhje, edhe pse e vështirë me skuadrën që do të rindërtohet në merkaton e janarit, do të ishte rikthimi te Teuta.Mundësia e dytë në kampionatin shqiptar është Kukësi, ekip me të cilin fantazisti e nisi sezonin e rregullt, ndërsa zgjidhja e tretë dhe më e mundshmja të realizohet është transferimi në një ligë të huaj, që në javët në vazhdim do të nisë sezonin e ri.

Alternativat janë disa, nga kampionatet e Kazakistanit, Bjellorusisë, Moldavisë e Irlandës, për të vazhduar me ligat e vendeve nordike, nga Islanda në Letoni, Lituani dhe Estoni, për të vazhduar me ligat në Ishujt Faroe, Finlandë, Norvegji apo Suedi, që startojnë në vitin 2018.