Një aksion sa sinjifikativ po aq edhe inteligjent ka ndodhur para zyrës së kryeministrit të Kosovës. Qytetarët kanë vendosur t’i “dhurojnë” Ramush Haradinajt, plot 204 kravata. Por ky peshqesh nuk ka lidhje as me krishlindjen dhe as me vitin e ri.
Është një protestë ndaj vendimit të kryeministrit për rritjen e pagës së tij me 100 për qind. Kur shefi i ekzekutivit u pyet se pse kishte çuar pagën 2950 euro, duke e bërë atë më të lartën në rajon, ai u justifikua duke thënë se “S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një këmishë”.
Kjo e shtyu artistin Kushtrim Mehmeti që të niste një “aksion humanitar” për të mbledhur kravata dhe për t’ia dhuruar kryeministrit. Plot 204 të tilla iu dërguan sot Ramush Haradinajt para zyrës.