Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se qeveria e Kosovës e respekton çfarëdo vendimi që merr Kuvendi i Kosovës, duke thënë se nuk ka koment tjetër për kërkesën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Ai tha se Gjykata Speciale si e tillë është e padrejtë për Kosovën, meqë selia e saj është jashtë territorit të vendit dhe se e rendon imazhin e Kosovës në botë.
“Unë kam kërkuar që ajo gjykatë të vijë në Kosovë. Le të behet në Kosovë se është më lirë, mundemi me i kursy disa miliona, nuk po i ikim drejtësisë. Kërkesa e deputetëve për shfuqizimin e ligjit nuk kam koment, ata janë të zgjedhurit e popullit. Kur voton parlamenti për qeverinë është ligj”, tha Haradinaj në takimin me këshillin drejtues të AAK-së.
Ai tha se AAK-ja nuk ndryshon qëndrime në varësi të asaj nëse është në pozitë apo opozitë.
“AAK-ja nuk e bën asnjë temë me lojë, është e drejtpërdrejt. Do të jemi të sinqertë me partnerët e koalicionit, edhe me opozitën, Çkado qe kemi votu po në opozitë nuk e ndërrojmë sot me jo, ose çka kemi votu jo, nuk e ndërrojmë sot me po”, tha Haradinaj.