Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ka thënë se numri i rasteve të dyshuara të kolerës në Jemen, ka arritur në një milion.
Ky komitet ka thënë sot se shpërthimi i kolerës është “shtim i vuajtjeve” në shtetin që po kalon një “luftë brutale”. Mbi 80 për qind e popullsisë së Jemenit, sipas Kryqit të Kuq, kanë nevojë për ushqim, ngrohje, ujë të pijshëm dhe qasje në përkujdesin shëndetësor.
Mbi 2,220 persona besohet të kenë vdekur, që prej kohës kur rastet e para të kolerës u paraqitën në muajin prill. Kolera është një infeksion që shkaktohet nga ushqimi apo uji i kontaminuar me bakterin Vibrio kolera.
Për më shumë se tre vjet, në Jemen, qeveria e presidentit Abd-Rabbu Mansur Hadi, që mbështetet nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, po lufton me rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 8,670 njerëz janë vrarë në këtë konflikt. Shumica e viktimave janë civilë. /REL/