Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje me një vendim ia ka dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të tij, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Deri më tani paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, e në vazhdim do të jetë 2950 euro.

Po ashtu, me vendim të tij, paga e zëvendëskryeministrit tani e tutje do të jetë 2500 euro, ndërsa e ministrave nga 2000 euro.

Ndryshim të pagave kanë pësuar edhe disa zyrtarë të tjerë të Qeverisë.

Vendimi për rritjen e këtyre pagave ka hyrë në fuqi nga 1 dhjetori i këtij viti.

Më poshtë, vendimi ku edhe shihen të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në pagat e zyrtarëve qeveritarë. (Vendimin e plotë e gjeni duke klikuar këtu).