Projektuesi i portit të ri të peshkimit në Durrës duket se nuk ka parë kurrë më parë në jetën e tij një port peshkimi. Nëse do të kishte parë një port peshkimi më herët, qoftë edhe këtë që kemi prej një shekulli në Durrës, nuk do të kishte bërë gafa trashanike, gafa që kushtojnë rreth 20 milionë euro.

Porti i ri i peshkimit është dhënë në dorëzim peshkatarëve të Durrësit, por ky investim është një dështim total. Të gjitha bankinat janë të rrethuara me gurë që që vetëm një projektues i painformuar mund ta bëjë këtë gafë.

Gurët e mëdhenj që kanë mbushur basenin në të gjitha bankinat e tij, kanë ulur thellësinë që është e nevojshme për anijet, dhe e kanë bërë të pamundur ankorimin e tyre. Edhe një qytetar i thjeshtë e kupton që ky investim është i dështuar për funksionin që u bë. Anijet e peshkimit nuk mund të lidhen e të qëndrojnë në gurë, për shkak se dëmtohen.

Kryeministri Edi Rama hëngri drekë me peshkatarët në një anije të ankoruar këtu. Vallë nuk ja zunë sytë gurët e mëdhenj që rrethojnë çdo bankinë?

Që në hyrje porti ka gurë që sa herë ka dallgë e furtunë ato pak anije që hyjnë përplasen e dëmtohen, ndërsa 80% e anijeve të flotës qëndrojnë në portin e vjetër.

Janë investuar me kredi rreth 20 milionë euro me paratë që sigurohen nga taksat tona në formë këstesh tek bankat e huaja.

Porti është një dështim dhe askush deri tani nuk thotë asgjë, përveç peshkatarëve të ngratë dhe atyre armatorëve të cilët nuk janë të lidhur me fijet e pushtetit e të fondeve që jepen për peshkimin.

Armatorët thonë se që të ankorohen anijet, bankinat duhet të jenë të thella dhe me beton. Ndaj edhe lind pyetja: Gurët e stërmëdhenj ç`punë kanë në një port peshkimi?

Porti u projektua me gjasë që të sillte sa më shumë punë për peshkatarët, të cilët do të zbarkonin këtu me peshkun e freskët të Adriatikut. Por në këtë port vetëm peshk nuk ka, ndërsa gurë sa të duash!

Projektuesi, inxhinieri, zbatuesi, mbikqyrësi dhe ata që e morën në dorëzim portin, nuk i patën sytë në ballë? Të gjithë këta në bashkëpunim, kanë dështuar një investim i cili ka vlerë rreth 20 milionë euro.

Të gjithë duhet t'i presë drejtësia krahëhapur!