Gati dy dekada pasi mijëra gra dhe vajza në Kosovë u përdhunuan në mënyrë sistematike gjatë konfliktit të armatosur, të mbijetuarat janë gati të marrin kompensimin e shumëpritur, por vetëm një grusht autorësh janë dënuar për këto krime.
Kështu pohon organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International” në një raport të publikuar të mërkurën, i cili quhet “Plagët që djegin shpirtrat tanë: Kompensimi për të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës, por ende pa drejtësi”.
Atje shpalosen pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale të pësuar nga të mbijetuarat, të cilat deri më tani janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë mbështetje nga qeveria.
Raporti thekson se vetëm një autor nga Kosova, është dënuar në një gjykatë serbe dhe asnjë në Kosovë, ku pas luftës Kombet e Bashkuara dhe nga dhjetori 2008 edhe policia dhe prokurorët e Bashkimit Evropian, ishin përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve.
Sidoqoftë, hetuesit ndërkombëtarë shpesh kanë dështuar të ndjekin të dyshuarit ose të mbledhin dëshmi, pohon organizata. “Amnisti International” ka intervistuar disa prej viktimave, shumica e të cilave thonë se e kanë humbur shpresën në drejtësi.