Sokol Hoxha, djali i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha zbulon amanetin e fundit që i la i ati. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, ai tregon se ende nuk e di pse ishte i preferuari i të atit.
“Nuk di ta them me saktësi. Ndoshta për zgjedhjet e drejta që kisha bërë në jetë, gjë që ma ka thënë disa herë. Më vjen keq që nuk i jam hapur, madje kur ai më është hapur, unë i jam mbyllur”, thote ai ne “Panorama”.
Sokol Hoxha zbulon se Enveri e kishte pike te dobet nusen e tij, Lilianen.
“Vërtet e ka pasur pikë të dobët. Këtë e them jo se është gruaja ime, por ai ma ka theksuar disa herë. Ndoshta se Liliana ishte vajzë populli me cilësitë e veta që ai ia vlerësonte aq shumë, si ndjeshmëria, idealizmi dhe mospajtimi me padrejtësitë”, thotë ai, dhe shton se kjo gjë kishte krijuar shqetësim te familja.
Sokoli tregon amanetin që i la Enveri 9 ditë para se të vdiste.
“Tetë apo 9 ditë para se të vdiste, amaneti i tij ishte të ruheshim dhe sidomos të ruaja Lilianën. Ma ka thënë troç: “Ruajuni dhe sidomos ruaj Lilianën”, thotë ai. Pyetur nga “Panorama” se “Ç’do të thoshte me ruajuni”?, ai përgjigjet: “Siç kishte kuptuar qëllimin kundër atij vetë muajt e fundit të jetës, kishte kuptuar sidomos qëllimin kundër nesh. Me këtë donte të na bënte vigjilentë doemos pa u futur ai vetë në detaje, kur ishte evidente se pjesa tjetër e familjes, filluar nga mamaja, ishte totalisht e lidhur me Ramiz Alinë”. /Panorama