Policia kufitare në portin e Durrësit, gjatë kontrollit mbrëmjen e djeshme i ka gjetur një shtetasi italian një pajisje të dyshimtë.
Nga burimet policore, mësohet se pajisja i është gjetur në momentin që po largohej nga Durrësi për në Bari. Pas marrjes në pyetje, italiani me iniciale G.I. është shprehur se është inxhinier uji, ndërsa kjo pajisje shërben për të matur cilësinë e ujit.
Ndërkohë që policia vijon hetimet për pajisjen që aktualisht është dërguar për ekspertizë në laboratorin shkencor, italiani po hetohet në gjendje të lirë. Hetuesit dyshojnë se deklarimet e shtetasit italian janë të rreme, pasi pajisja duket që kryen shërbime të tjera elektronike që nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.





