Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka kundërshtuar dhe dhunuar një efektiv të policisë rrugore.
Burime të policisë bëjnë me dije se efektiv me iniciale N.N ka ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit një automjet tip ‘Mercedez’ me drejtues Sebastjano Malotaj, 22 vjeç.
Sipas burimeve në vendngjarje, drejtuesi i mjetit është përplasur edhe fizikisht me efektivin e policisë, i cili ka thirrur menjëherë forcat e rendit për mbështetje.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 03.12.2017, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Lezhë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit :
•Sebastjano Malotaj,22 vjeç, banues në Ishull-Lezhë
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se tek rrethrrotullimi i Shëngjinit në Lezhë, ka kundërshtuar me dhunë efektivin e policisë rrugore të Komisariatit të Policisë Lezhë.
Shtetasi i lartpërmendur udhëtonte me automjetin tip Benz dhe në momentin kur punonjësi i Policisë Rrugore do t’i vendoste masë administrative për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal





