Ish-zv/ministria e Brendshme Elona Gjebrea është paraqitur ditën e djeshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ka dhënë deklarime lidhur me çështjen e udhëtimeve me makinën e Habilajve në Greqi. Gjebrea ka shkuar vetë në prokurori, në një kohë kur kjo e fundit nuk e kishte ftuar, dhe gjatë qëndrimit për gati 1 orë e 30 minuta në ambjentet e kësaj prokurorie, Gjebrea, i ka dhënë përgjigje pyetjeve të njërit prej prokurorëve të kësaj çështjeje.

Lajmi për praninë e ish-zv/ministres së Brendshme Gjerbrea, njëherësh deputete e PS, nuk është konfirmuar nga burimet e prokurorisë, por nga forcat e sigurisë së këtij institucioni. Gjebrea ka qënë në mesditën e djeshme në prokurori, ndërkohë që hyrja e saj në këtë institucion është kryer nëpërmjet tunelit dhe po nga andej nga dalë sërisht. Ndërkohë asnjë nga anëtarët e grupit hetimor që po kryejnë verifikime për të dyshuarit në dosjen “Tahiri” nuk e kanë konfirmuar praninë e Elona Gjebreas në prokurori.

Por jo zyrtarisht prokurorët thonë se Gjebrea nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Ka shumë gjasa që Gjebrea të ketë treguar në prokurori se kush ishte destinacioni i këtij udhëtimi dhe nëse kanë takuar shtetas të ndryshëm, dhe më konkretisht ndonjërin nga vëllezërit Habilaj. /Shqiptarja.com