Të tjera detaje dalin nga shpërthimi i një mjeti në afërsi të Kopshtit Botanik. Mësohet se mjeti “Volkswagen Passat” me targa AA 946 EE është në pronësi të shtetasit Ndok Rajta, biznesmen që disponon një firmë inertesh.

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar pasi automjeti në momentin e shpërthimit ka qenë në parkim pranë një zone grumbullimi inertesh. Shpërthimi ndodhi rreth orës 9:30, dhe paraprakisht dyshohet që eksplozivi të jetë vendosur për të kërcënuar pronarin e makinës.

Pronari i automjetit ka dhënë dëshminë përpara uniformave blu ku mësohet të jetë shprehur se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa ka theksuar se automjeti ka qenë i parkuar pikërisht pranë biznesit të tij të inerteve. 

Automjetit i është vendosur tritol në orët e para të mëngjesit dhe shpërthimi është bërë i telekomanduar. Sasia e lëndës shpërthyese dyshohet të ketë qenë më shumë se 200 gramë C4 e vendosur në pjesën e përparme të automjetit. Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe ka tronditur të gjithë zonën përreth.