Një i ri shqiptar, i cili po vidhte një apartament në San Lorenzo, është ‘surprizuar’ pasi brenda ka gjetur edhe të zotin e pronës.

I gjendur përballë kësaj befasie, 22-vjeçari u detyrua të hidhej nga dritarja, nga një lartësi prej 2 metra, duke mbetur i lënduar. Ishte pronari i shtëpisë, që njoftoi policinë.

Mediet italiane shkruajnë se hajduti theu këmbën, ndërkohë që u arrestua nga policia. Karabinierët i sekuestruan shqiptarit një çantë, brenda të cilës kishte disa sende të vjedhura dhe një xhaketë të zezë.

Mësohet se shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte dhe një bashkëpunëtor të tij, i cili arriti t’i shpëtonte policisë, ndërsa kjo e fundit është vënë në ndjekje të tij.

Hajduti shqiptar u transportua në spitalin e Orvietos ku iu nënshtrua një operacioni. Tashmë ai ndodhet në burg, në pritje të masës së sigurisë.