Mëngjesin e kësaj të hëne qyteti i Vlorës u trondit pas një shpërthimi me eksploziv të vendosur në automjetin e djalit të një biznesmeni të njohur.
Makina tip tip Jeep me targa AA 298 CL, me drejtues 25-vjeçarin Imer Hajrulla, ka shpërthyer gjatë lëvizjes në lagjen ”Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit.
Si pasojë e shpërthimit i riu ka humbur dy këmbët dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, raporton tvklan. Kanë qenë kalimtarët e rrugës ata që kanë bërë të mundur të nxjerrin Inesin nga automjeti dhe e kanë dërguar në spital.
Ndërkaq mësohet se 25-vjeçari ka ndryshuar identitetin nga Imer Hajrulla, duke e kthyer emrin në Ines.
Referuar njoftimit paraprak të policisë i riu është një person me precedent të theksuar kriminal.
Informacioni paraprak i policisë:
Më datë 27.11.2017, Salla Operative Vlorë është njoftuar se në lagjen ”Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit ka shpërthyer një automjet në lëvizje.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje ku nga verifikimet paraprake rezulton se mjeti tip Jeep me targa AA 298 CL, me drejtues shtetasin I.H., 25 vjeç, ka shpërthyer gjatë lëvizjes.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar, dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën drejtuesi i mjetit i cili është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë për të marrë ndihmë mjekësore.
Dyshohet se mjetit i është vendosur lëndë eksplozive.
Shtetasi I.H., është shtetas me precedentë të theksuar kriminalë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





