Për Prishtinën dhe Prizrenin do të ketë rinumërim të plotë të votave. Pretendimet për parregullsi të paraqitura nga disa parti kanë shtyrë Panelin Zgjedhor të Ankesave të marrë vendimin e rishikimit të të gjitha votave për këto dy qytete, ku u zhvillua beteja më e ashpër elektorale.
Kërkesën për rinumërim në Prishtinë e paraqiti Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa në Prizren është PDK-ja, ajo që flet për shkelje e shpreson në fitore, edhe pse kandidati i saj Shaqir Totaj është 329 vota mbrapa Mytaher Haskukës së Vetëvendosjes.
Në kryeqytet, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes ka një epërsi prej 237 votash ndaj Arban Abrashit të LDK-së. Paneli i Ankesave ka dalë në përfundimin se, pretendimet e këtyre dy partive janë të bazuara.
PDK-ja përmendte në kërkesën e saj se është vënë re mospërputhje e procesverbaleve të rezultateve. Zyrtarë të saj dhanë edhe një shembull: në 4 klasa të shkolles “Motrat Qiriazi” në Prizren, të përdorura si qendra votimi, u evidentuan sipas saj parregullsi të mëdha, siç ishte leja e dhënë personave të panjohur për të qëndruar në ato ambiente pa autorizim, si dhe fakti që kanë votuar në emër të personave të tjerë.
Më vonë është regjistruar gjithashtu një dëmtim i kutive të votimit dhe ndërhyrje në procesverbalin e rezultateve. Afati ligjor për shqyrtimin e këtyre ankesave ishte ora 19:00 e ditës së enjte. Ngërçi i krijuar prek vetëm Prishtinën dhe Prizrenin, sepse në përgjithësi, balotazhi në pjesën tjetër të komunave konsiderohet i qetë e pa ndonjë parregullsi që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.