Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarin e rrëmbimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016 në Durrës.
Pretenca e akuzës është bërë sot në seancën te Krimet e Rënda, ndërsa pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës në ngarkim të Shtrazës. Gjykata i la dy javë kohë avokatëve të Denis Shtrazës për të përgatitur mbrojtje, dhe në seancën e 30 nëntorit pritet që të jepet edhe vendimi.
Denis Shtraza u akuzua së bashku me Ervin Dalipajn, ish-punonjësi i policisë i cili mbeti viktimë e një atentati në Sukth.
DITA E NGJARJES
Denis Shtraza tha se rrëmbimin e Gazmend Çollakut e kishte mësuar në Tiranë, përmes lajmeve në televizion. Në vijim, i pandehuri rrëfeu në sallën e gjyqit me detaje lëvizjet e tij të datës 6 janar 2016, ditë kur ndodhi rrëmbimi i Çollakut në Durrës.
“Nuk e kujtoj saktësisht datën, por jam zgjuar rreth orës 11:00. Kam dalë nga shtëpia dhe jam qethur dhe më pas piva kafe me disa shokë të mi. U thashë atyre që do të shkoja në Tiranë, për punë të miat. Udhëtimin nga Durrësi në Tiranë e kam bërë me një furgon. Duhet të ketë qenë ora 15:30 apo 16:00 kur mbërrita. Shkova te një lokal pranë kryqëzimit të ’21 Dhjetorit’, ku takova një shoqen time”, ka dëshmuar Shtraza.
I pyetur për identitetin e shoqes së tij, Shtraza fillimisht refuzoi ta tregonte. Më pas ai pranoi të thotë vetëm emrin e saj, Marsela, por jo mbiemrin.
“Nuk mund ta tregoj, se kam frikë se pëson gjë dhe ajo si Ervin Dalipaj”, tha ai. Në këtë moment, ndërhyri avokati Alban Qafa, i cili i tha gjykatës se klienti i tij nuk mund t’i përgjigjej pyetjes.
“Vajza që përmendi i mbrojturi prej nesh është dëshmitare në këtë proces dhe është pranuar si e tillë nga gjykata. Prokurori e ka në dosje identitetin e saj të plotë. Çështja është shumë sensitive. Këtij vëllai i iku për azil, një familjar e ka me plumb në trup, ai tjetri u vra. Mos e çojnë situatën deri këtu”, tha avokati Alban Qafa.
*Denis Shtraza është i vetmi i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin me pasojë vrasjen e Gazmend Çollakut. Për krimin akuzohej edhe Ervin Dalipaj, por çështja ndaj tij u pushua pas vdekjes, për shkak se oficeri i policisë u ekzekutua në një atentat mafioz në prill të këtij viti.
Gazmend Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit 2016 pranë një lokali në vendin e quajtur dy kullat në Durrës, dhe u gjet të nesërmen i vrarë me 5 plumba në kokë në fshatin Murqin të Krujës.





