Ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të ish-shefit të krimit ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj, i ekzekutuar sot në një atentat mafioz në autostradën Tiranë-Durrës, ka arritur në përfundimin se ish-efektivi i policisë ka pasur rreth 20 plumba në trup.  

Sipas burimeve konfidenciale për DurrësLajm, mësohet se pjesa më e madhe e plumbave e kanë goditur Dalipajn në pjesën e kokës. Duket se kufoma e Dalipajt, është bërë shoshë nga plumbat, dhe ish-efektivi i policisë ka humur jetën në vend.

Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë të ditur se nga ekspertiza e bërë në vendngjarje automjetit me të cilin udhëtonin dy viktimat e atentatit të sotëm, janë gjetur rreth 50 gëzhoja.

Kjo tregon se autorët e atentatit kanë gjuajtur me breshëri për të mos i lënë asnjë mundësi dy personave që ndodheshin në mjetin tip Audi, të shpëtonin të gjallë.

Mësohet gjithashtu se pjesa më e madhe e plumbave e kanë goditur automjetin në pjesën e shoferit. Mësohet se ishte pikërisht ish-shefi i krimit ekonomik, Ervin Dalipaj, ai që drejtonte mjetin tip Audi.

Pritet që në orët ne vijim të zbardhen rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore edhe për mikun e Dalipajt, Juxhin Dauti, që humbi jetën gjithashtu në atentatin e tipit mafioz.

Në morgun e spitalit të Durrësit ndodhen familjarë të viktimave, që presin të tërheqin trupin e dy të rinjve që u ekzekutuan mesditën e sotme, rreth orës 14.00, në autostradën Tiranë-Durrës. 

K.H.