Konsiderohet si sasia më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në Ravena të Italisë ku janë kapur mbi 2.4 ton kanabis ndërkohë që në pranga kanë rënë tre shqiptarë.

Mediat italiane raportojnë se pas hetimeve u kapën 4 persona, një 26-vjeçar italian si dhe tre shqiptarë, 21, 27 dhe 53 vjeç. Tashmë të gjithë ndodhen pas hekurave nën akuzën e transportit të lëndëve narkotike por mes trafikanteve dhe policisë ka pasur përplasje me armë zjarri.

Hetimet rreth këtij grupi kriminal nisi pas një kontrolli të territorit, gjatë natës së të enjtes së kaluar nga karabinierët e Cervia-s dhe Milano Marittima. Patrulla e policisë pikasi një furgon rreth orës 04: 30 të mëngjesit përgjatë zonës së Savio-s, që të çonte në drejtim të Ravenës.

Në mjet kishte dy persona. Pas një ndjekje të shkurtër, furgoni që drejtohej nga 26-vjeçari italian u ndalua, ndërsa brenda tij kishte 2,4 ton marijuanë, 62 kg hashash, 4 kg vaj hashashi. Një sekuestrim ky i përmasave të mëdha sa i takon kësaj zone.