Mister mbi fatin e një avokati 54-vjeçar, që ditë më parë kishte planifikuar të nisej me traget nga porti i Durrësit drejt Barit, ku nuk mbërriti asnjëherë.
Avokati Besnik Muço duhet të takonte bashkëshorten në Macerata të Italisë, por që nga data 2 nëntor ajo nuk di gjë për fatin e tij.
54-vjeçari, më 2 nëntor, duhet të hipte në një traget të kompanisë Adria në Durrës për të shkuar në Macerata, atje ku jeton bashkë me bashkëshorten Raimonda. Kështu është shprehur kjo e fundit në denoncimin e saj para autoriteteve italiane, pasi humbi kontaktet me të shoqin, shkruan “Il Messaggero”.
Që nga 2 nëntori, Rajmonda është shprehur në kallëzimin e saj se nuk ka pasur asnjë kontakt me Besnikun dhe kjo e detyroi që t’u drejtohej autoriteteve për ndihmë javën e shkuar.
Ndërkohë miqtë dhe të njohurit që ka në Shqipëri me të cilët ka komunikuar gruaja, i kanë thënë se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e avokatit 54-vjeçar.





