Ish-të përndjekurit politikë, të cilët prej tetë ditësh janë ngujuar në grevë urie, u kanë bërë thirrje të gjitha ambasadave dhe përfaqësive të huaja diplomatike të ushtrojnë presion mbi Qeverinë për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Nëpërmjet një deklarate për mediat, 20 grevistët e urisë, kanë kërcënuar se nëse nuk plotësohen të drejtat e tyre më minimale ato do të vetëflijohen.
“Kërkojmë nga kjo qeveri që e kemi mbështetur dhe dhënë gjakun dhe vitet e rinisë sonë ,që jemi djegur dhe përcëlluar burgjeve të tmerrshëm të diktaturës, të na plotësojë kushtet minimale për të jetuar dhe për të pasur mundësi t’u mbushim barkun me bukë fëmijëve tanë që shumicën e rasteve flenë të pangrënë dhe që aktualisht nuk kanë mundësi të na bëjnë edhe një telefonatë për të na pyetur si jemi nga pamundësia ekonomike. Ju lutemi hajdeni të shikoni sesi akoma dhe sot neo-komunistët në pushtet po përçudnojnë jetë njerëzish dhe nuk kanë sensibilitetin më të vogël human për të drejtat tona.
Ne nuk kërkojmë vila te Gjiri i Lalzit siç qeveritarët tanë gëzojnë nga lekët që vjedhin dhe masakrojnë këtë popull, nuk i kërkojmë vilat as të veshura me mermer, as me tavolina pokeri e as të pajisura me sauna e tavolina bilardoje siç ministrat tanë i kanë shtëpitë e tyre. Ne kërkojmë një çati për mos të lagur fëmijët sa herë që bie shi. Një punë për të jetuar me dinjitet dhe për të pasur mundësi të çojmë bukë e dhjathë në shtëpi që fëmijët tanë të mos na vdesin si në tregimet e Migjenit që janë aq aktuale edhe sot.
Ne nuk kemi asnjë inat dhe zili kundër jush, u treguam qytetarë në rënien e sistemit komunist në sjelljen tonë përkundrejt baballarëve tuaj diktator dhe do të tregohemi edhe sot. Ne nuk duam të vjedhim si ju, të grabisim si ju, ne nuk duam toka, gjire e vila. Ne duam vetëm atë që Kushtetuta na garanton, ajo Kushtetutë dhe ajo drejtësi për të cilën ne sakrifikuam gjithë jetën tonë. Asnjë nga ne nuk del i gjallë nga kjo grevë pa u plotësuar të drejtat tona minimale krahasuar me ç’të drejtë na takon”, thuhet në deklaratën e firmosur nga 20 të ngujuarit e urisë.
Prej mbrëmjes së 22 shtatorit, 20 ish-të përndjekur politikë qëndrojnë në një ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit. Ata kërkojnë marrjen sa më shpejt të dëmshpërblimit për vitet e burgut, të kryera në kohën e komunizmit.