Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se shqiptarët e meritojnë statusin e vendit kandidat në BE. I pranishëm në takimin e liderëve të Ballkanit që zhvillohet në kuadër të kongresit të Partisë Socialiste Europiane, ai theksoi se në Shqipëri nuk është problem mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre. Sipas tij, në këtë pikë duhet të përqendrohet edhe vëmendja e ndërkombëtarëve.
"Në funksion të një integrimi që duhet të reflektohet në cilësinë e jetës së qytetarëve, në procesin demokratik në Shqipëri, është padyshim e domosdosshme që Komisioni, Bashkimi Europian, Partia Socialiste Europiane të vigjilojnë për të mos lejuar që i gjithë ky proces, i gjithë ky kontribut i opozitës në këtë proces të shpërdorohet dhe të kthehet në një proces që nuk ka impakt në jetën e qytetarëve shqiptarë", deklaroi Rama.
Kreu i opozitës shqiptare është zgjedhur anëtar i Presidencës së Partisë Socialiste Europiane. Lajmi u konfirmua nga vetë kryesocialisti, i cili komenton në faqen e tij zyrtare në Tëitter, se ndihet krenar për arritjen, ndërkohë që premton se do të fuqizojë zërin e socialistëve shqiptar në PSE-së.
“Krenari e përgjegjësi zgjedhja ime si kryetar i PS të Shqipërisë në Presidencën e Partisë Socialiste Europiane! Fuqizim i zërit tonë në PSE”,- shkruan Rama. Kreu i PS-së ndodhet në Bruksel në kuadër të punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste Europiane, me ftesë të liderëve të PSE-së.