Fryma e re Demokratike është ende një forcë e re politike që po kërkon të pozicionohet në listën e gjatë të partive që ka prodhuar pluralizmi shqiptar. Kreu i grupit nismëtar të saj, deputeti Gazmend Oketa, zbardh në një intervistë për “Dyrrah” objektivat e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, por dhe pikat kryesore të platformës së kësaj force politike në zgjedhjet e vitit 2013. Ndërsa përjashton mundësinë e ndonjë koalicioni me dy polet e politikës shqiptare (të paktën për këtë vit) Oketa nënvizon se pranverën e vitit të ardhshëm mund të merret ndonjë vendim politik mbi këtë çështje. Gjithsesi ai thekson se “FRD nuk do krijojë koalicione për efekte numerike. Nëse do të flitet për koalicion ai do të bazohet mbi parime që do t’i rikthejnë moralin e humbur politikës shqiptare. Koalicioni ynë kryesor do jetë ai me qytetarët shqiptarë të cilët më shumë se kushdo politikan kërkojnë një frymë të re në drejtimin e vendit”. Pas dy mandateve të deputetit, të fituara në qarkun e Durrësit ai shpreh ambicien e tij për të kandiduar sërish në këtë qark, megjithëse këtë herë nën një sigël tjetër.
Fryma e re Demokratike po funksionon tashmë prej rreth pesë muajsh dhe gjatë kësaj periudhe keni hapur degë të forcës suaj politike në disa rrethe të vendit. A i kanë përmbushur pritshmëritë tuaja këto muaj aktiviteti politik?
Që nga data 30 prill, kur filloi zyrtarizimi i Frymës së re Demokratike, kanë kaluar afro pesë muaj dhe deri më sot situata është shumë e kënaqshme. Kemi lëvizur pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, pothuajse në të gjitha qytetet dhe komunat kryesore janë ngritur grupet e punës që funksionojnë normalisht.
Është një proces që sigurisht kërkon angazhim maksimal dhe kohën e vet, por jemi brenda të gjitha pritshmërive, për të mos thënë që ndihemi akoma më të mobilizuar për shkak të frymës pozitive që kemi hasur kudo ku kemi lëvizur. Kemi ndjerë mbështetjen e qytetarëve përkundrejt FRD-së dhe njëkohësisht kemi konstatuar pritshmërinë e tyre kundrejt kësaj force politike, pasi e shohin FRD-në si një shpresë të madhe për të ndryshuar këtë realitet të trishtë politik, por edhe ekonomik.
Politika shqiptare në këto 22 vite është dominuar nga dy partitë e mëdha, ndërkohë që partitë e reja në shumë pak raste kanë arritur të kthehen në faktor ndikues në jetën politike të vendit. A do mund të kthehet FRD në një faktor ndikues apo do të renditet krahas partive të tjera të vogla?
Fryma e re Demokratike nuk ka lindur thjesht si një dëshirë e disa individëve për të krijuar një forcë politike, por ka lindur si përgjigje e kërkesës së shumë qytetarëve shqiptarë, shumë mbështetësve të së djathtës shqiptare, të cilët ndiheshin të papërfaqësuar, shumë qytetarëve që nuk kanë dalë të votojnë asnjëherë në mungesë të një alternative përfaqësuese për ta.
Tashmë dy partitë e mëdha, sipas gjykimit tim duhet të konsiderohen parti të vjetra në këtë tranzicion të tejzgjatur shqiptar, alternativa të provuara që nuk kanë mundur të përshpejtojnë shumë procese që do ta afronin akoma më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian. FRD lind në një realitet krejt tjetër. Lind në një moment kur dy partitë e vjetra kanë humbur besueshmërinë në elektoratin shqiptar, kur qeverisja aktuale që pretendon se është përfaqësuese e së djathtës shqiptare ka humbur tërësisht identitetin politik, ka humbur moralin për të qeverisur vendin dhe nuk ka përmbushur premtimet e dhëna elektoratit shqiptar si p.sh. luftën kundër korrupsionit.
FRD-ja lindi për të ringjallur shpresën tek shqiptarët, për të krijuar tek ata bindjen se politika mund të bëhet ndryshe, mund të jetë një politikë që ka në qendër të fokusit të saj shqetësimet e qytetarëve, një politikë me tone normale, e bazuar mbi argumenta dhe jo në një gjuhë përçarëse dhe baltosëse që i shërben karrikes së vetëm disa individëve, por nuk i shërben qytetarëve të këtij vendi. Pikërisht për të gjitha këto që përmenda jemi të bindur se Fryma e re Demokratike do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm në qeverisjen e ardhshme dhe në vendimmarrjet e ardhshme politike pas zgjedhjeve të vitit 2013.
FRD do të provojë për herë të parë veten në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Sipas janë objektivat me të cilat do futeni në këtë garë elektorale?
Kur futesh në një garë, cilado qoftë ajo, futesh për të fituar. Ne do t’i drejtohemi qytetarëve shqiptarë me një platformë, me një program të thjeshtë dhe të qartë. Do të synojmë së pari të rivendosim balancat institucionale, të cilat pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 janë prishur tërësisht.
Shqipëria tashmë po shkon drejt partisë shtet. Do synojmë një shtet të së drejtës jo vetëm në deklarime politikanësh, por një shtet me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët pavarësisht bindjeve dhe përkatësive partiake. Do japim kontributin tonë për të shtyrë përpara ato reforma që krijojnë mundësi për më shumë punësim, edukim, për një sistem shëndetësor më të mirë.
Fryma e re Demokratike do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm në qeverisjen e ardhshme dhe në vendimmarrjet e ardhshme politike pas zgjedhjeve të vitit 2013. Besoj se rezultati që FRD do të arrijë do të jetë meritë e qytetarëve durrsakë, të cilët kanë ditur gjithnjë me zgjuarsi të bëjnë zgjedhjen e duhur, të ndëshkojnë me votë ata individë apo ato forca politike, të cilat pas marrjes së votës kanë tradhtuar interesat e tyre
Do bëjmë përpjekjet tona maksimale për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve të pronësisë, që në këto 20 vite janë komplikuar edhe më shumë. Kjo është bërë qëllimisht për të penguar ata që ishin pronarë të gëzonin pronën e tyre dhe për t’u dhënë mundësi abuzuesve të pasuroheshin qoftë me pronën publike qoftë me atë private.
Në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do krijoni koalicion parazgjedhor me ndonjë forcë tjetër politike?
Është paksa herët për të folur për koalicione para apo pas zgjedhore. Së pari ne do të vazhdojmë punën tonë për forcimin e strukturave të partisë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Besoj se gjatë pranverës së vitit të ardhshëm, strukturat drejtuese të Frymës së re Demokratike do të marrin vendimet e duhura.
Por ajo çfarë unë mund të them në këto momente është se FRD nuk do krijojë koalicione për efekte numerike. Nëse do të flitet për koalicion ai do të bazohet mbi parime që do t’i rikthejnë moralin e humbur politikës shqiptare. Koalicioni ynë kryesor do jetë ai me qytetarët shqiptarë të cilët më shumë se kushdo politikan kërkojnë një frymë të re në drejtimin e vendit.
Në një deklaratë në media lideri socialist Edi Rama deklaroi se FRD-ja do të synojë të mbledhë votat e elektoratit të djathtë të pakënaqur për t’u bashkuar më pas me PD-në. E shihni të mundur një koalicion me PD-në, kur dihet se pjesa dërrmuese e drejtuesve tuaj vijnë nga rradhët e Partisë Domokratike?
Ne kemi deklaruar qartë se nuk ka asnjë mundësi koalicioni me PD-në, po ashtu edhe me PS-në. Zoti Rama do bënte mirë të shihte dhe të zgjidhte çështjet e partisë së tij. Para se të fliste për koalicionet e FRD-së të shihte koalicionin real që ai ka me z.Berisha. Situata politike dhe e raporteve institucionale që ne kemi sot është pikërisht rrjedhojë e marrëveshjes Berisha-Rama të vitit 2008, një aleancë për interesa të ngushta të tyre. Fryma e re Demokratike do të punojë fort që të krijojë profilin e saj politik dhe pas zgjedhjeve të ardhshme do të jemi një faktor i rëndësishëm vendimmarrës dhe qeverisës në Shqipëri.
Çfarë impakti ka dhënë marrja e drejtimit të FRD-së nga ish presidenti Topi?
Ka dhënë një impakt shumë pozitiv, për faktin se z.Topi ka qenë vazhdimisht politikani më i kuotuar dhe më i vlerësuar nga opinioni publik shqiptar. Me një profil të qartë qytetar dhe eksperiencë të gjatë në politikë, e shkrirë kjo dhe me frymën e përgjithshme të grupit nismëtar të forcës sonë politike, rikthimi në politikë i Bamir Topit sigurisht që mundëson një zhvillim pozitiv për FRD-në. Gjithsesi dua të theksoj këtu se FRD nuk synon të krijojë një forcë politike të një individi të vetëm.
Gjithçka është ndërtuar bazuar mbi një bashkëpunim të ndërsjelltë mes anëtarëve të strukturave drejtuese të FRD-së, që synon të jetë një parti moderne, që zbaton statutin e saj, që është njëkohësisht “kushtetuta” e saj. Synojmë të jemi një parti që përgatit të rinj dhe të reja shqiptarë për të marrë në dorë në një të ardhme të afërt, qeverisjen e këtij vendi në nivel lokal dhe qendror.
Kjo nënkupton që prioritet për ju do të jetë afrimi i sa më shumë të rinjve pranë FRD-së?
Në mënyrë të natyrshme shumë të rinj e të reja i janë drejtuar me vullnetin e tyre të plotë FRD-së, por kjo nuk do të thotë që dyert e partisë sonë janë të hapura vetëm për këtë pjesë të elektoratit. Shqipëria është një vend me një moshë mesatare relativisht të re dhe është e logjikshme që një pjesë e konsiderueshme e elektoratit tonë të jenë të rinj e të reja.
Gjithashtu dua të theksoj se kemi mbështetës, anëtarë dhe simpatizantë të të gjitha grupmoshave, të të gjithë grupeve të interesit. Njëkohësisht dyert e partisë sonë janë të hapura për cilindo qytetar që respekton ato parime mbi të cilat Fryma e re Demokratike është ndërtuar. Në këtë sens ne mirëpresim edhe ata qytetarë që deri pak kohë më parë ishin pjesë e Partisë Demokratike.
Dua të theksoj se nuk janë qytetarët që janë larguar nga PD, por është kjo e fundit që është larguar prej tyre. PD-ja është kthyer në një klub miqsh, me interesa të ngushta, ndërsa lidershipi i saj është krejtësisht i shkëputur nga realiteti dhe anëtarësia.
Jeni përfaqësuesi i vetëm i FRD-së në parlament. Debati mes dy partite të mëdha tashmë është ndalur tek ligji për Gjykatën e Lartë. Ju vetë jeni pro apo kundër miratimit të këtij ligji?
Unë jam për miratimin e një ligji për Gjykatën e Lartë apo për të shkuar më tej jam për miratimin e të gjithë atyre ligjeve që do të siguronin një reformë në sistemin e drejtësisë, por pa cënuar pavarësinë e këtyre institucioneve, pa i dhënë mundësi politikës të fusë hundët më tepër se ç’duhet në sistemin e drejtësisë, apo për të bërë presioneve politike mbi këtë sistem.
Janë dy gjëra krejt të ndryshme të jesh dakort në parim me një çështje dhe më pas të shohësh atë çfarë propozohet dhe përmbajtjen e saj. Me aq sa e njoh unë draftin e propozuar, mendoj se nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme për ligjin për Gjykatën e Lartë.
Jemi para marrjes ose jo të statusit të vendit kandidat për në BE. Mendoni se këtë herë Shqipëria do ta marrë këtë status dhe a e meriton kjo klasë politike marrjen e statusit?
Klasa politike nuk mendoj se e meriton që të marrë aprovimin nga BE, por më vjen mirë që ju pyetët në fillim nëse e meriton Shqipëria. Shqipëria po, e meriton. Mendoj se qytetarët shqiptarë e meritojnë që të bëjnë edhe një hap më shumë drejt Europës. Unë uroj që ta marrim statusin dhe dua të theksoj se merita për marrjen e tij duhet t’u shkojë qytetarëve të këtij vendi dhe sigurisht miqve tanë europianë që e kanë mbështetur Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit të tejzgjatur.
Marrja e statusit nuk duhet t’i atribuohet klasës politike shqiptare, por përkundrazi politika shqiptare ka dështuar (ndoshta dhe qëllimisht) në arritjen e këtij objektivi.
Megjithëse duhet ende kohë deri në zgjedhjet e vitit 2013, a ka nisur të mendojë FRD-ja për listën e kandidatëve të saj për deputetë?
Do të thoja se është ende shpejt për këtë gjë.
Atëherë po ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Ju jeni zgjedhur dy mandate rresht deputet i qarkut të Durrësit. A keni ambicie për të kandiduar sërish në Durrës në zgjedhjet e ardhshme?
Unë do të kandidoj përsëri në qarkun e Durrësit dhe do doja shumë që sistemi të ishte sërish mazhoritar si në vitin 2005, ku qytetarët durrsakë zgjodhën me votë se cili nga kandidatët në garë i përfaqësonte më mirë. Sistemi që ne tani kemi, me lista të mbyllura, i jep pak mundësi qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit që ata dëshirojnë.
Këtë kandidim nuk e shoh si një sfidë personale, por si një sfidë të qytetarisë durrsake, qytetari që jam i bindur se do t’i japë përgjigjen e merituar politikës së vjetër e konfliktuale. Besoj se rezultati që FRD do të arrijë në vitin 2013 do të jetë meritë e qytetarëve durrsakë, të cilët kanë ditur gjithnjë me zgjuarsi të bëjnë zgjedhjen e duhur, të ndëshkojnë me votë ata individë apo ato forca politike, të cilat pas marrjes së votës kanë tradhtuar interesat e tyre. Falenderoj qytetarët e Durrësit për mbështetjen që më kanë dhënë gjithë këto vite.
Dega e Durrësit kur mund të zyrtarizohet?
Gjithçka është gati. Është vetëm çështje programimi nga kryesia e Frymës së re Demokratike në Tiranë për të përcaktuar një kalendar që do të kulmojë me kuvendin e FRD-së. Por strukturat e FRD-së në Durrës punojnë normalisht.