Një tjetër fitore e bujshme vjen nga volejbolli. Pa u shuar ende jehona e suksesit të ekipit të femrave, që merituan kupën e vënë nga Federata Shqiptare e Volejbollit janë djemtë që e sjellin këtë trofe 35 kilometra larg Durrësit. Katër ekipet më të mira të volejbollit shqiptar: Teuta, Studenti, Tirana dhe Vllaznia erdhën në Tiranë me 21 dhe 22 shtator për të fituar kupën e FSHV-së.
Teuta së pari kishte pengesën e Tiranës, për të menduar më tej për “përvetësimin” e trofeut. Dhe brenda 60 minutash kreu formalitetin e rastit. “Na u duk sikur po bënim një ndeshje miqësore,- deklaroi trajneri maqedonas Harri Nakovski,- pasi rivalja jonë ishte larg kërkesave për të pretenduar kupën.
Fitorja 3-0 me Tiranën na shërbeu për të marrë masat e nevojshme në dyluftimin e zakonshëm me ekipin kampion të Studentit”. Ndërkohë ekipi i drejtuar nga Ylli Tomori kishte fituar me Vllazninë 3-0. Interesimi për dyluftimin Teuta-Studenti arriti kulmin, kjo edhe për faktin se të dy ekipet kanë “kunj” njëra me tjetrën në dominimin e volejbollit të vendit. Aq më shumë kjo në fillim të sezonit të lojrave, ku kupa e FSHV-së intrigonte se cila nga ekipet do t’i merrte krahët kundërshtarit.
Dramacitet
Teuta e kishte mundur Studentin me 10 shtator, në kupën e vënë për nder të 1 vjetorit të vrasjes tragjike të volejbollistit Juxhin Guza. Por atë ditë u tha nën zë, se Studenti nuk dëshironte të ngacmonte atmosferën trishtuese, që vihej re në kampin durrsak dhe u duk si një lloj lënie e ndeshjes. Kjo ishte një arsye më shumë që me 22 shtator të testohej forca e secilës palë.
Me 10 shtator në Durrës mungonte edhe trajneri Ylli Tomori, duke besuar se pa “timonier” anijet gjithnjë rrezikojnë mbytjen. Teuta hodhi në fushën e lojës vëllezërit Dashi, Aldon dhe Jurgen, Edmond Mokun, Xhulio Myftarin, Blerim Pepajn dhe libero Sokol Rreshkën. Por kualiteti më i rëndësishëm mbetet malazezi Vuk Medenica, rendimenti i të cilit është më shumë se i domosdoshëm.
Medenica është blerja më spektakolare e sezonit, duke mos anashkaluar këtu edhe shuterin Blerim Pepaj. Studenti prezantoi formacionin e tij më të mirë dhe në pankinë shfaqet fortësia e tyre, tekniku Ylli Tomori. Në setin e parë Teuta tregoi se kupa Juxhin Guza nuk ishte “mëshirim” i Studentit, por shprehje e vlerave cilësore të volejbollit durrsak.
Kampionët nuk mundën të bënin më shumë se 14 pikë. Edhe në setin e dytë dominimi durrsak mbeti parësor. Rivaliteti rritet ndjeshëm. Kur mendohej se fitorja do të ishte mjaft e thellë, në fazën përmbyllëse të setit të tretë Studenti tregoi se nuk hiqte dorë nga trofeu dhe bindja për t’i mundur durrsakët. Fitore e tyre 25-23. Beteja ndizet e ashpër në setin e katërt.
Ekipi me profil ballkanik i Teutës (duke përfshirë edhe trajnerin maqedonas Harri Nakovski), kërkonte triumfin e tij në Tiranë për dy arsye: e para të tregonte se është i aftë të mundë edhe kampionë të natyrës Studenti dhe e dyta të çfaqte hapur kandidaturën për titullin kampion dhe fitues i të gjitha trofeve kombëtare.
Sfida në anën psikologjike ishte edhe më e ashpër. Seti i katërt ishte më shumë se një finale. Koha e konsumimit të këtij seti ia kaloi edhe një ndeshje të vetme. U luftua për çdo pikë, për çdo pasim, për çdo gjuajtje. Shifrat janë të pazakonta. 24-24, 25-25 dhe deri tek barazimi i fundit 30-30. A do të mbaronte ky set?
Dhe djaloshi 22 vjeçar Jurgen Dashi, me gjuajtjen e tij vrastare shënon pikën e 32-të. Teuta feston në “strofkullën” e Studentit, aty ku ky ekip është kurorëzuar disa herë me tituj kampionë. Nuk është e lehtë t’i mundësh djemtë e Ylli Tomorit në Tiranë. Por ajo që vlen është se ndeshja e 10 shtarorit ishte më shumë se serioze dhe durrsakët ishin të motivuar t’ia dedikonin kujtimit të pashlyer të Juxhin Guzës.
Konkluzioni
Sekretari i klubit shumësportesh Teuta Emiljan Jani ndjehet optimist në një pikë. Ai shprehet: “Nuk është thjesht fitorja, as edhe ardhja në Durrës me kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Ajo që çmohet mbetet kompaktësia e ekipit, aftësia për tu shprehur me gjuhën e cilësisë dhe konfirmimi i bindjeve se Teuta është në ditën më të mirën të saj, për të ulur në gjunjë të gjithë rivalët duke përfshirë edhe kampionen e vendit Studentin. Kemi festuar atë natë tek Vila Park pikërisht për këtë. Një trajner profesionist si Harri Nakovski, një volejbollist i përmasave të nivelit europian si Vuk Medenica, me kualitete vendase si vëllezërit Dashi dhe të rinjtë Myftari dhe Vora, me prurje të tilla si Blerim Pepaj Teuta është kandidatura numër një për të marrë trofe të tjerë si kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, ashtu sikundër ndodhi me 22 shtator 2012 kur pronëson kupën e FSHV-së”.
Nakovski është më i përmbajtur në deklarata. Në shënimet e tij lexojmë që Teuta nga 102 pikë në total, 88 janë vlerë e saj, ndërsa 14 pikë janë dhënë nga Studenti. Por Nakovski shqetësohet në një pikë, se Teuta Studentit i ka dhuruar 22 pikë duke lënë të hapur mundësinë e një punë edhe më këmbëngulëse dhe ambicioze.
Ka ardhur koha e viteve të arta të volejbollit durrsak. Sporti i rrjetës është në kulmin e zhvillimit të tij. Teuta fiton kupën e FSHV-së. Një premisë e mirë dhe inkurajuese për të treguar se trofe të tjera do të fitohen në të ardhmen. Kjo është shprehje e një punë sistematike të kryer me volejbollin në Durrës, duke nisur që nga moshat. Këtu nuk harrohen edhe vajzat. Të shpresojmë për kthimin e tifozërisë në shkallët e pallatit dhe justifikimin e plotë të interesimit të tyre nga ekipet e Teutës. Megjithatë deri këtu gjërat po shkojmë mjaft mirë.