Ish-të përndjekurit dhe të persekutuarit politikë kanë paralajmëruar se do të hyjnë në greve urie për shkak të zvarritjeve të pafundme nga ana e qeverisë për t’i dëmshpërblyer dhe kthyer dinjitetin kësaj shtrese të vuajtur e të nëpërkëmbur me vite.
Disa ditë më parë, disa të persekutuar u bënë protagonistë kur qëlluan me miell makinën e kryeministrit Berisha ndërsa hynte në parlament, duke u bërë shkak edhe për shkarkimin nga detyra të një numri të madhe punonjësish policie të komisariatit numër 1.
Njoftimi për fillimin e një greve urie më datë 25 shtator, në shenjë proteste siç thonë ata ndaj abuzimit të qeverisë me këtë shtresë të popullsisë, u bë nga përfaqësuesit e të përndjekurve ditën e shtunë. Përfaqësues të kësaj shoqate thanë se shtyrja pa fund nga ana e qeverisë për dëmshpërblimin ndaj tyre, është diçka që nuk mund të tolerohet më gjatë.
Sipas ish-të përndjekurve, shtyrja pa afat e dëmshpërblimit ka bërë që gjendja aktuale e tyre të rëndohet së tepërmi. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën.