Pas arritjes së konsensusit dhe aprovimit në Kuvend të ligjit për heqjen e imunitetit, tashmë sfida e rradhës e mazhorancës dhe opozitës është votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Gjatë javës paketa me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese u rrëzuan nga e djathta, po ndërkohë kjo e fundit i kërkon deputetëve të PS-së të votojnë ligjin për shkallën më të lartë të gjyqësorit në vend. Sipas deputetit Gazmir Bizhga mazhoranca ka abuzuar shumë me deklarimet se e majta nuk voton ligjet që kërkojnë miratimin e 3/5 të deputetëve. Ai thekson se kapja e sistemit të drejtësisë dhe kontrolli i tij nga një njeri i vetëm, që është Sali Berisha, do ta bënte utopik zbatimin në praktikë të këtij ligji. “Në këtë kuptim çdo ligj sado i mirë që të ishte në letër, qofte ky edhe për Gjykatën e lartë do të ishte utopik për t’u zbatuar sa kohë që ky institucion do të administrohet si oborri i pasëm apo dalja e sigurisë së Saliut dhe të tijve sa herë që ju duhet që të përgjigjen para drejtësisë për çfarë i kanë bërë apo i bëjnë këtij vendi”,- tha Bizhga për “Dyrrah”.
Opozita bashkoi votat e saj me mazhorancën për miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit, ndërkohë që paketa e propozuar nga PS për ndryshimet kushtetuese u hodh poshtë. Pse e votuat tani këtë ligj, ndërkohë që e refuzuat në 6 gusht?
Ne nuk e kemi refuzuar asnjëherë ligjin për heqjen e imuniteteve, megjithëse ka patur një propagandë të vazhdueshme qeveritare, mediatike, tepër intensive, për të manipuluar opinionin publik vendas, por edhe partnerët ndërkombëtarë, se opozita është kundër heqjes së imuniteteve. E vërteta është krejt ndryshe. Ne kemi qenë që në krye të herës për heqjen e imuniteteve, edhe atëherë kur Kryeministri Sali bënte skeçe televizive për heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti.
Ne kemi kërkuar që kjo gjë të bëhej me ligj kushtetues, sepse nuk ka institucion të shtetit të së drejtës që të marrë për bazë juridike heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti. Dorëheqja vullnetare nga imuniteti ishte thjesht demagogji. Këtë ndyshim kushtetues ne e kishim shoqëruar edhe me një paketë të plotë për ndyshimet në drejtësi dhe që lidhej me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe prokurorit të përgjithshëm, zgjedhja e të cilëve nga Parlamenti të bëhej me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Meqënëse edhe reforma në drejtësi kryhet nëpërmjet amendimit të kushtetutës, ne kërkuam që kjo të bëhet në të njëjtën seancë me atë të heqjes së imuniteteve, pasi kuvendi të ishte konsultuar me konstitucionalistët më të mirë dhe misionet partnere ndërkombëtare të BE që asistojnë tek ne në fushën e së drejtës dhe reformës në drejtësi. Ky ishte edhe arsyetimi për seancën e datës 6 gusht. Gjithçka tjetër që u tha nga Kryeministri dhe të tjerët pas tij ishte vetëm propaganda për t’iu shmangur të vërtetës dhe realitetit.
E majta deklaron se mazhoranca nuk dëshmon vullnet për të bashkëpunuar. Ndërkohë në parlament pritet të diskutohet ligji për gjykatën e lartë. A do të japë PS votën e saj pro këtij ligji që kërkon miratim me 3/5?
Ne e kemi thënë që në krye të herës, se sot në Shqipëri nuk lulëzon krimi dhe korrupsioni për shkak të mungesës së ligjit apo gjykatave, por për shkak të kulturës së mosndëshkimit të qeveritareve dhe klanit të Kryeministrit.
Është spekulluar shumë për ligjet që kuvendi miraton me 3/5-at nga ana e Saliut, por edhe e megafonëve të tjerë të tij, të cilët shtojnë korin e zhurmave të rrenës dhe që lodhin gjithë ditën veshët e shqiptarëve, se integrimi nuk bëhet pasi opozita nuk miraton ligjet me 3/5-at. Po ju sjell vetëm një shembull mjaft domethënës.
Para një viti ne miratuam me 3/5-at, kërkesën e qeverisë për një paketë ndryshimesh në kodin rrugor, të cilat konsistonin në tre-katërfishimin e gjobave të kundravajtjes dhe vetëm kaq. Arsyetimi i përfaqësuesve të qeverisë ishte se kjo reformë do të ulte numrin e aksidenteve në rrugë dhe se do të rriste sigurinë e njerëzve për jetën nga aksidentet. Po në të vërtetë çfarë ndodhi pas gjithë kësaj. Aksidentetet jo vetëm që nuk u ulën, por ato u shtuan, sa gjakosja e rrugëve të Shqipërisë sot është e njëjtë me ato të Kandaharit, pasiguria për jetën është çdo ditë e më e madhe.
Vetëm një ndryshim pati nga gjithë kjo, që u rrit vlera e parave që policët ju marrin nën dorë qytetarëve, u rrit shuma e vlerës së korrupsionit që policët ju paguajnë shefave të tyre për t’u bërë inspektorë rrugorë, shefat lokalë shefave më lart e kështu me radhë deri në majën e piramidës. E njëjta gjë është edhe me ligjin në fjalë. Ne i propozuam mazhorancës që të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese që dekretohen nga Presidenti të miratohen me 3/5 nga Kuvendi, për arsyen e thjeshtë se sot të gjitha pushtetet në këtë vend burojnë dhe administrohen nga një njeri i vetëm e që është Sali Berisha.
Të gjitha institucionet e tjera janë vetëm marioneta të përzgjedhura prej tij duke filluar që nga Presidenti e gjithë të tjerat me radhë. Për ta ndalur sadopak këtë kapje të shtetit nga një individ i vetëm dhe për ta bërë të pavarur sadopak drejtësinë, ne i propozuam këto ndryshime dhe si përgjigje morëm një kundërshtim të ashpër nga Saliu. Dhe kjo është e kuptueshme.
Për të Gjykata e Lartë apo ajo Kushtetuese nuk janë institucionet më të larta të drejtësisë, por barka që e shpëton atë nga llumi i korrupsionit ku është zhytur vetë, bashkë me ata që mban rreth e përqark. Në këtë kuptim çdo ligj sado i mirë që të ishte në letër, qofte ky edhe për Gjykatën e lartë do të ishte utopik për t’u zbatuar sa kohë që ky institucion do të administrohet si oborri i pasëm apo dalja e sigurisë së Saliut dhe të tijve sa herë që ju duhet që të përgjigjen para drejtësisë për çfarë i kanë bërë apo i bëjnë këtij vendi.
Numri i krimeve në vendin tonë ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke goditur madje dhe strukturat e larta policore. Sipas jush pse po viret re një tendencë gjithnjë në rritje e kriminalitetit?
Shthurja e rendit publik, rritja e kriminalitetit, rritja e grabitjeve, vrasjeve, plagosjeve, dhunimeve është faza e fundit e një regjimi të korruptuar qeverisës si ky i yni, para se ai të bjerë me votat e qytetarëve. Ky regjim nuk ka më asnjë aftësi jo për ta parandaluar krimin, por as për t’u përballur me të dhe arsyet janë mjaft të thjeshta.
Nga njëra anë është një popull i tërë i pambrojtur nga kriminelët dhe nga ana tjetër është një qeveri thellësisht e korruptuar dhe e zhytur gjithanshmërisht në llumin e batakun e vjedhjeve dhe grabitjeve të pronës publike dhe të taksave të shqiptarëve. Nga njëra anë janë policët e oficerët e thjesht që nuk kanë as minimumin e kushteve të punës, nuk kanë as karburant për makinat e policisë, as pagë për orët jashtë orarit apo dieta dhe nga ana tjetër janë krerët më të lartë të saj e Ministrisë së Brendshme, të përzgjedhurit e besuar të kryeministrit Sali, kanakarët e tij, të cilët jetojnë mes luksit dhe bëjnë para.
Bëjnë para për vete, por edhe shpërndajnë para për reklama qeveritare në megafonët televizivë të qeverisë, nga paratë që shqiptarët i kanë paguar për të siguruar jetën e rendin publik. E kam thënë dhe tjetër herë, po sot po e ripërsëris më fort, jo vetëm si deputet, por më së pari si qytetar e si prind, se sot në Shqipëri nuk e dallon dot më, se ku është vija ndarëse e krimit me shtetin, se ato ky pushtet i kalbur i ka bërë njësh për interesat e tij.
Ky pushtet, ky kryeministër, kjo qeveri e merr krimin me “qera” sa herë që ai i duhet për të vjedhur votat e opozitës, për të rrahur, plagosur apo vrarë njerëzit e opozitës dhe si shpërblim pasi siguron këto shërbime të botës së krimit i jep atij lirinë juridike dhe fizike për të vazhduar që të vjedhë, të grabisë e të vrasë qytetarët e thjeshtë. Në vijim të kësaj që sapo thashë ndodhi edhe vrasja e kryekomisarit, ashtu siç edhe kanë ndodhur dhe do të vazhdojnë që të ndodhin edhe plot episode të tjera të krimit mbi qytetarët e pronën e tyre, për aq ditë sa do të vazhdojë që të jetë në këmbë kjo qeveri.
Duke qenë se viti elektoral po afron duket se gjërat kanë nisur të lëvizin në terren. Cilat janë pikat kryesore ku do të përqendrohet puna e strukturave drejtuese të PS-së së Durrësit gjatë fushatës elektorale?
Do të përqendrohet tek kontaktet e vazhdueshme me njerëzit, të cilat ne nuk i kemi shkëputur asnjëherë. Do t’i shtojmë edhe më shumë ato duke qenë më të drejtpërdrejtë në komunikim dhe duke energjizuar çdo vlerë opozitare në një kahje të vetme dhe me një qëllim të vetëm, rrëzimin e pushtetit të korruptuar të Sali Berishës.
Sot më shumë se kurrë kemi një armë morale të fuqishme në dorë, pakënaqësinë dhe urrejtjen që ka populli për këtë regjim hajdutësh që po i merr frymën kujtdo dhe shpresën që ai ka te socialistët për një rilindje të re kombëtare.
Në dy zgjedhjet e fundit parlamentare PD-ja ka arritur të marrë shumicën e deputetëve në rang qarku. A parashikoni një luftë të ashpër politike gjatë vitit elektoral dhe cilat janë strategjitë që do të përdorni për ta kthyer Durrësin në një qark të majtë?
Më mirë të mos i referohemi zgjedhjeve të fundit parlamentare, se ato vetëm zgjedhje nuk ishin. Opinioni publik është mjaft i qartë se çfarë ndodhi në vitin 2009, ku një mekanizëm i madh manipulativ u ngrit nga PD dhe qeveria për të çbërë rezultatin real të zgjedhjeve e që fillonte që me listat zgjedhore e kartat e identitetit e deri tek dhuna e lirimi i kriminelëve nga burgjet vetëm pak ditë para zgjedhjeve, të cilët u turrën si banda të çartura duke dhunuar lart e poshtë aktivistët e opozitës e mbështetësit e saj.
Ky pushtet, ky kryeministër, kjo qeveri e merr krimin me “qera” sa herë që ai i duhet për të vjedhur votat e opozitës, për të rrahur, plagosur apo vrarë njerëzit e opozitës dhe si shpërblim pasi siguron këto shërbime të botës së krimit i jep atij lirinë juridike dhe fizike për të vazhduar që të vjedhë, të grabisë e të vrasë qytetarët e thjeshtë
Në krye të gjithë kësaj qëndronte me medaljen e manipulimit KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, të cilët e ligjëruan manipulimin dhe prodhuan për shqiptarët këtë qeveri që kemi sot e që po ju nxin jetën të gjithëve. Durrësi është një qark i majtë. Zgjedhjet më të fundit vendore në vitin 2011 e treguan këtë. Nga 16 komuna e bashki që ka qarku 8 prej tyre u fituan nga socialistët por jo vetëm kaq, por ato janë njësitë me popullsinë më të banuar të qarkut.
Përkatësisht bashkitë e Durrësit, Fushë-Krujës, Shijakut e komunat e Ishmit, Maminasit, Niklës, Bubqit e Thumanës që u fituan nga socialistët kanë më shumë se 70% të popullsisë së qarkut. Po edhe ne ato që nuk mundëm që t’i fitonim rezultatet qenë mjaft të ngushta si p.sh. në bashkinë e Krujës apo atë të Manzës, të cilat i humbëm për vetëm pak vota.
Kështu që mund të themi plotësisht që Durrësi është qark i majtë, por kjo nuk na bën që të flemë mbi dafina, për të vetmen arsye se në zgjedhjet e ardhshme e dimë që do të konkurojmë jo me PD-në, por me pushtetin e Saliut, i cili do të bëjë gjithçka për ta mbajtur në këmbë, por që në fund do të ndëshkohet nga vota popullore.
Në media pak javë më parë ish deputetë të partisë suaj (si Ylli Bufi) u shprehën se mendimi i forumeve nuk merret parasysh nga strukturat drejtuese qendrore. Cili është reagimi juaj lidhur me këtë deklaratë dhe sa merret parasysh aktualisht në forumet e PS-së së Durrësit mendimi i bazës?
Nuk e kam dëgjuar apo lexuar kund këtë që po thoni ju, ndaj nuk mund që ta komentoj. Di të them se PS, socialistët dhe progresistët janë një fuqi e madhe njerëzore e shoqërisë shqiptare. Forumet janë thjesht shprehje e vullnetit të tyre, ndaj nuk ka asnjë arsye për të bërë hamendësime të tilla. Tek ne ka rregulla të qarta të funksionimit të jetës së brendshme të Partisë të shkruara saktë dhe që zbatohen rigorozisht nga të gjithë.
Në kohën kur ju e drejtonit degën e PS-së në Durrës partia juaj ka qenë më aktive qoftë me deklarata për shtyp ndaj çështjeve të caktuara qoftë edhe me denoncime të aferave korruptive të institucioneve apo individëve të veçantë, ndërkohë që aktualisht duket sikur ka një përgjumje. Pse ka ardhur kjo?
Nuk gjykoj se është kështu. Së pari unë nuk jam shkëputur kurrë nga jeta politike në Durrës, pavarësisht kryetar vendor i PS-së apo jo, por duhet që të keni parasysh që qënia deputet dhe aktiviteti që lidhet me një detyre të tillë nuk të jep mundësinë fizike për të qenë edhe drejtues lokal i Partisë dhe së dyti periudhës kohore që ju i referoheni përkon me periudhën e parë opozitare atë të vitit 2005-2009, kohë kur PS-ja nuk kishte asnjë deputet në qarkun e Durrësit dhe detyrimisht shumë prej fakteve denoncuese që ju përmendët në pamundësi për t’u thënë në foltoren e Kuvendit bëheshin në selinë lokale.
Sot PS-ja e qarkut ka pesë deputetë dhe ky mision ezaurohet më së miri në kuvend, por edhe në hapësirën mediatike që plotëson secili nga kolegët e mi socialistë të qarkut të Durrësit. Megjithatë une ndaj emocionet më të mira të jetës sime për kohën kur kam drejtuar degën vendore të PS-së në Durrës, ashtu siç ndaj edhe bindjen që fuqinë e një organizate politike siç është PS nuk e bën një individ i vetëm, por misioni që ka ajo organizatë për të realizuar sa më mirë mirëqënien e shoqërisë si dhe fuqia e njerëzve të thjeshtë, që janë të padukshëm për median, por që kanë një energji të pashtershme. Këta janë socialistët e progresistët e thjeshtë dhe i gjithë populli opozitar, që në vitin 2013 do të bëhen uragan për ndryshimin.
Ju jeni deputet i Durrësit prej disa mandatesh. A do të rikandidoni sërish dhe cila pritet të jetë zona juaj elektorale?
Të jesh deputet, aq më tepër i zgjedhur nga populli opozitar dhe socialistët, është në radhë të parë nder, por mbi të gjitha është detyrim për besimin që të kanë dhënë. Çdo ditë kam punuar me bindjen për ta përmbushur sa më mirë këtë besim përballë socialistëve kudo në Shqipëri, por edhe përballë bashkëqytetarëve të mi durrsakë, pavarësisht se shpesh herë jemi penguar qëllimisht nga pushteti me të gjitha format për t’a bërë detyrën tonë.
Nuk e di sesa ia kam arritur kësaj që sapo thashë, por ajo që dua të vlerësoj më shumë sot është se ka ardhur koha që i madh e i vogël, intelektualë apo punëtorë, të papunë apo invalidë, të rinj e të reja, studentë apo nxënës që votojnë për herë të parë, bujq apo peshkatarë, biznesmenë apo sipërmarrës, pensionistë apo veteranë, të bashkohen për të rrëzuar me votë regjimin e korruptuar që kemi mbi krye. Nuk ka rëndësi qenia deputet apo jo, ajo që është më e rëndësishme është largimi dhe vetëm largimi me votë i Sali Berishës dhe i gjithë zullumqarëve e dallkaukëve të tij.
Cila do të jetë zona elektorale, pyesni ju ? E gjithë lagja apo qyteti im, i gjithë qarku i Durrësit, e gjithë Shqipëria, kudo ku do të më jepet mundësia për t’ju kërkuar votën shqiptarëve për PS-në dhe opozitën. Pa u ndalur as një ditë apo orë deri në përmbysjen e plotë të këtij pushteti hajdutësh.