Një vjetori i vdekjes apo vrasjes makabre të volejbollistit 24 vjeçar Juxhin Guza u përkujtua në mënyrën më të mirë në Durrës. Një përpjekje nga më seriozet vendosi në një bashkëpunim shumë domethënës dhe mbresëlënës Federatën Shqiptare të Volejbollit, klubin shumësportesh Teuta dhe presidentin e ekipit Markelian Rexhepi, në organizimin e kupës Juxhin Guza.
Kishin ardhur për të luajtur me këtë rast në Durrës krahas Teutës edhe ekipet e Studentit dhe Tiranës. Risi ishte krijimi i një ekipi veteranësh me emra të spikatur të volejbollit si Indrit Buka, Roland Tare, Sajmir Guza, Naim Limanaj Aurel Kaja dhe maqedonasit Nakovski, Nikolov dhe Slenkov.
Para se Teuta të luante me Studentin organizatorët i dhanë çdo lojtari, trajneri dhe gjyqtari karafila të kuq, të cilët i dërguan pranë portretit të gjallë dhe të madh të Juxhin Guzës, vendosur në një kënd të sallës kryesore të lojrave. U mbajt edhe një minutë heshtje në nderim dhe kujtim të këtij djaloshi, që do të mbetet i gdhendur në memorien e të gjithë atyre që e njohën dhe komunikuan nga afër me të.
Teuta e mundi Studentin 2-1, në një lojë të bukur dhe me nivel. Me këtë rast në përbërje të Teutës krahas trajnerit maqedonas Harri Nakovski, u prezantua edhe volejbollisti malazez Vuk Medenica, duke rritur ndjeshëm pretendimet e Teutës në konkurimet e ardhshme sportive. Ndeshja tjetër u zhvillua ndërmjet Tiranës dhe ekipit të veteranëve.
Ekipi i seleksionuar fitoi 2-0 dhe i kërkoi sfidën Teutës për fitimin e kupës. Dyluftimi i zhvilluar vetëm me një set simbolik u zhvillua tërheqës dhe pa kompromis. Fituan veteranët të cilëve iu dorëzua Kupa Juxhin Guza. Por edhe mbyllja e këtij organizimi ishte emocionues, drithërues dhe mbresëlënës. Sekretari i FSHV-së ngriti lart figurën e lojtarit Juxhin Guza dhe premtoi që ky organizim do të mbetet i përvitshëm.
Ai i dorëzoi kupën Juxhin Guza, xhaxhait të tij që jeton në Gjermani Sajmir Guzës, njëri prej volejbollistëve më të shquar shijakas të fillimit të viteve 90-të. Kupa që mori në duar Xhixhi (Sajmiri) u la në lot, duke krijuar momente prekëse. Edhe familjes iu dhurua një kupë simbolike nga FSHV-ja dhe të gjithë volejbollistëve iu dorëzua nga një medalje me mbishkrimin: Kupa Juxhin Guza.
Tek Vila Park sportistë të katër ekipeve pjesëmarrëse dhe mjaft miq, të afërm dhe dashamirës të familjes Guza kaluan një darkë ku u kujtua me këtë rast volejbollisti dhe njeriu i mirë Juxhin Guza.