Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi në Ohër një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Në faqen zyrtare të presidencës thuhet se ky është takimi i parë ndërmjet dy presidentëve Nishani-Ivanov në vijim të traditës për mbajtjen e dialogut politik midis dy vendeve në nivelin më të lartë.
Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjitikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare.
Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakort që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të “Korridorit 8” dhe lidhjen e autostradës “Adriatiko-Joniane” me “Korridoret 8 dhe 10”. Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje dhe vlerëson se ato janë solide, dinamike në planin dypalësh dhe shumëpalësh.
Presidenti i Republikës vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë në vend.
“Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurtë ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë”, – shprehu bindjen Presidenti Nishani dhe theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu se dialogu politik, përgjegjshmëria institucionale dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, duhet të ndihmojnë në shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në vend.
Presidentët shkëmbyen mendime për integrimin euro-atlantik të dy vendeve tona dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e vlerësuar si esencial për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Presidenti Nishani kërkoi mbështetjen e Maqedonisë për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe forumet rajonale. Presidentët Nishani dhe Ivanov vlerësuan se takime të tilla janë të frytshme dhe se duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Presidenti i Republikës e ftoi Presidentin e Republikës së Maqedonisë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u prit me kënaqësi.