Jemi ndodhur ditët e fundit të javës që lamë pas, në kompleksin Tropikal në sektorin e Plepave në zonën e plazhit të Durrësit, aty ku edhe ekipi kombëtar nxiti përgatitjet e tij për dy ndeshjet miqësore me Katarin dhe Iranin. Ishte një pasdite pikante, ku rrezet e diellit çanin si me zor rrethimin e pishave të cilat afrimi i muzgut ia zgjaste hijet. Një kombinim shumëngjyrësh me mbarimin e pranverës së tretë, ku e kuqja e praruar e diellit, kontraktonte me jeshilen e fuqishme të tapetit të ri të fushës. Një mjedis i shkëlqyer shfaqej para nesh, për të të treguar para se ti biesh topit, duhet të ndërtosh infrastrukturën aq funksionale për të nxitur cilësinë.
Teksa bisedojmë me Ardian Taken, kuptojmë që ky tapet absolutisht është nga më të mirët në Shqipëri. “E kemi bërë për ekipin kombëtar, flet pasionanti i thekuar i futbollit Take, i cili njihet edhe si një nga donatorët e fuqishëm të kampiones së Shqipërisë -Skënderbeut. Të gjithë kemi detyrim ndaj ekipit kuqezi dhe unë jam i pari që e filloj në këtë formë”. Anës fushës është menduar edhe për vend ulje, ashtu sikundër funksionon një impiant ndriçimi modern dhe sistemi i vaditjes së barit natyral.