Në fillim të viteve ‘90 në zonën e Kallmit u projektua ndërtimi i një porti jahtesh, i cili u konceptua i vogël. Ky Port Jahtesh do të mbulonte nevojat e qytetit duke u ndodhur brenda vijës së verdhë të tij. Në skajin verior të Durrësit, në rrëzë të Kepit të Rodonit, është caktuar dhe vendi i portit të ardhshëm i jahteve, i cili do të ketë një kapacitet ditor prej 500-600 jahtesh, prej 20m secila, doke për mirëmbajtje dhe riparime, dy zona luksoze rezidenciale (1.5 ha dhe 1.10 ha), një hotel të klasit të lartë, pishina, zona rekreative dhe një qendër tregtare. Zona e banimit do të zhvillohet në dy basene të ndara nëpërmjet një plazhi artificial. Vlera e investimit të projektit është parashikuar të jetë afro 30 milion euro. Ky port do të jetë i një rëndësie, jo vetëm kombëtare, por dhe kontinentale. Porti në rrëzë të Kepit të Rodonit është menduar të ngrihet në një zonë të Gjirit të Lalëzit. Ky port do të jetë i pari i këtij lloji në vendin tonë dhe do të luajë një rol të rëndësishëm për të ardhmen e sektorit të turizmit në Durrës dhe Shqipëri. Deti, si pasioni i shumë durrsakëve po merr një koncept të ri.

 

ARMINDA SKËNDERI ZHILLARI: Mendoj se turizmi i përmasave të tilla, do të sjellë më shumë të ardhura. Këtë nuk e bën shteti shqiptar, por më duket se financohet nga të huaj, me sa kam dëgjuar unë është një kompani gjermane. Një bashkëpunim i tillë është i mirë. Interesi i kësaj kompanie nuk është të rregullojë, por të bëjë diçka të re.

ARIVET ARI:Më fal, po me ato 30 milion a nuk mund të rregullojnë diçka tjetër në Durrës, pastaj të realizojnë ëndrrat, pra të mendojnë për portin e jahteve.. Për mendimin tim, gomari nuk çalon nga veshët.

ALBANA LIKA:Nizza, Cannes, Montecarlo, Porto Cervo, Saint Tropez etj, i kanë portet turistike përpara qytetit të vjetër. Në këtë mënyrë ato i rrisin emrin dhe vlerën (edhe pse Durrësi s'ka nevojë se i ka me bollëk) qytetit, strukturave turistike etj. Do ishte më logjike për mua të spostohej porti tregtar se ai turistik.

ANDI PAPA:Ky port i këtij projekti, s'do të ketë lidhje fare me Durrësin, por direkt me Tiranën. Po sikur t'i hedh unë një propozim shtetit shqiptar, sepse një miku im ka projektin gati për një port të tillë dhe me një kosto prej 10 milion euro, do e pranojnë? Aq më shumë në një pikë tjetër të Durrësit. Përveç projektit, a ia kanë haberin shqiptarët se për të shkuar në atë port duhet rrugë, domethënë lekë të tjera. Nejse ç'është 30 milion, ç'është 50 milion? Asgjë! Të paraqisësh një projekt të tillë, domethënë që e ke studiuar mirë vendin, dhe mbase projekti vlen aq sa thuhet. Problemi ynë dhe i të gjithë shqiptarëve është gjithmonë: pse aty dhe jo këtu, pse këtu dhe jo atje.

Gjithmonë me logjikën e secilit (ashtu siç e mendon secili të shprehet). Gjithashtu problemi ynë është mosbesimi tek shteti dhe qeveria. Një tjetër problem është mosparaqitja asnjëherë e disa lloj zgjidhjesh (projektesh) në vende të ndryshme (që do të thotë edhe diskutim nga inxhinierët për të mirat dhe të këqiat e vendit) dhe të votohet në urbanistikë për to (edhe këtu përsëri arrijmë tek pushteti vendor domethënë prapë lekë nën dorë). Askush nuk shikon problemin kryesor. A është e mundur në një shtet si Shqipëria, ku rregulli, pastërtia, siguria, korrupsioni etj, janë aq të saktë saqë mua më bën përshtypje, se si ende nuk është krijuar një port i tillë (ku do vijnë me jahtet e tyre sheikët arabë apo Z.Abraamovic). A e kuptoni se ç'bëhet?

AIDA PEMA HIMCI: Ky projekt propozohet nga lart (pushteti vendor) dhe do të zgjerohet edhe në brendësi të tokës me fshat turistik, fushë golfi, që ne nuk arrijmë t’a imagjinojmë. Qytetet me vlera e kanë portin turistik pranë qytetit, përpara qytetit, kjo është ideja për zhvillim, ndërkohë që zhvillohen projekte madhështore, me paratë e popullit (ai do t’i paguajë borxhet e qeverisë me taksat), për tangarllikun e politikanëve dhe fëmijëve të tyre. Në masë të gjerë le të gëzojmë shëtitjet tek Vollga jonë e dashur, në mes të erës së peshkut dhe portit të peshkimit. Turp për ata që vazhdojnë ta katandisin Durrësin në një kazan plehrash, të cilit i vjen era në sheshin e dashur Taulantia. Po nuk pati projekti vlera të larta, nuk vihet fare në diskutim, vlefta 10 milion nuk është e konsiderueshme. Po ata ç’të marrin qindarkat?

KUJTIM FUSHA: Mos po e bën vetë z.Meta? Shpesh politikanët tanë, nuk mund të ngrenë monopole me këto përmasa gjigante, rëndom ia faturojnë ndonjë firme gjermane, austriake, franceze, paçka se prapa këtyre emrave fshihen vetë ata që vjedhin gjakun dhe djersën e popullit dhe me miliona euro krijojnë monopole biznesi që sjellin të ardhura fitimprurëse. Ngritja e këtij porti në këtë zonë dhe portit të peshkimit brenda në qytet, është shumë kontradiktore. Një investim me përmasa kaq të mëdha, për vetë faktin se na bind që është një kapital me vlera shumë të mëdha për turizmin, aq shumë na bind se çdo investim gjigand, ka vlerën e një lavatriçeje gjigande të pastrimit të parave të pista. Në Shqipëri, që të ngresh një biznes të sukseshëm, duhet t’i hedhësh hapat në drejtim të gabuar dhe jo në drejtimin e duhur.

GJERGJI ANASTASI:Unë jam dakort me një projekt të kësaj natyre, vetëm me disa KUSHTE: Duhet të dimë që i gjithë bregdeti i Durrësit (dhe jo vetëm) është një pasuri arkeologjike nënujore dhe historike, mos harroni se Arkeologjia nënujore është e re në vendin tonë dhe ka filluar nga 2004, me kthimin e një profesori që ka studiuar në Itali. Kështu që Shqipëria ka akoma për të zbuluar për trashëgiminë e saj kulturore nënujore. Pra, nuk mund të ndërtohet pa marrë leje nga organet kompetente të arkeologjisë. Unë e di dhe për këtë jam shumë i sigurtë, që nuk mund të ndërtohet këtë vit dhe të paktën për 5 vjet të tjera. E them këtë pasi është një projekt Amerikano-Shqiptar, që po merret me hartimin e gjithë bregdetit Shqiptar, është një projekt që ka në dispozicion teknologjinë e kohëve moderne. Kanë filluar para 3-4 vjetësh nga qyteti i Sarandës dhe po ngjiten sipër, deri në kufi me Malin e Zi. Aktualisht kjo ekspeditë ndodhet në Vlorë. Sukseset janë shumë të mëdha, me zbulime arkeologjike nga më të rëndësishmet. Kanë gjetur barka prehistorike të Shek-IV a.C. dhe shumë të tjera, por nuk dua të zgjatem.

Më 2004-ën, për 3 vjet unë kam marrë pjesë në ekspeditat e kërkimit arkeologjik nënujor në zonën e Durrësit dhe mund t’ju them që në zonën e BATLLAVE kemi gjetur një nga SPIRANCAT E GURIT, (ende litica) e para për tipologjinë dhe antikitetin që ajo përfaqëson, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Mesdheun. Këtë spirancë, mund t’a gjeni në muzeun arkeologjik të Durrësit. U zgjata, pasi dua t’ju them se një ndërhyrje e tillë, një port i këtij dimensioni, kompromenton gjithë zonën arkeologjike me këtë projekt (edhe pse unë e shikoj shumë interesant për ekonominë e Durrësit, por disa gjëra duhet të bëhen në momentin e duhur dhe jo i shtyrë pas interesit të një ELITE). Nëqoftëse projekti realizohet në një periudhë, më shpejt se 5-6 vjet, do të thotë se si gjithmonë dikush (ose një grup personash) po bëjnë korrupsion. Jam profesionist  nënujor mbi 15 vjet në fushën e arkeologjisë dhe restaurues nënujor prej vitesh, kështu që di se ç'farë them.

Nuk kemi nevojë që të ndërtojmë një port të tillë që: në fillim të shkatërrojmë arkeologjinë nënujore dhe pastaj ta studiojmë. Ka ekspedita të specializuara, të cilat bëjnë kërkime nënujore dhe nuk janë aspak invazive për arkeologjinë, pra që e zgjidhin problemin pa asnjë komplikim. Ne duhet të ruajmë atë që kemi dhe të çmojmë vlerat e anikitetit që kemi. Kemi eksperiencën e gabuar të arkitekturës së ndërtimit, përse të gabojmë përsëri.

DASHAMIR QYSHKA:Me këto projekte dhe me përralla të tilla jemi rritur e jemi bërë kaq sa jemi, si atëherë kur shqiptarët hapnin toka të reja, dhe kur i mblodhën hektarët doli më e madhe se Amerika, Shqipëria. Dokrra! Peshku në det dhe fterja në zjarr.

LEONARD XHAXHO:Këta kanë marrë, kanë bërë projektin, kanë marrë leje në KKRTSH, kanë marrë konçesionin dhe tani duan t’ia shesin ndonjërit. Nuk e vë asnjeri ujin në zjarr, se sa turistë do vijnë dhe sa njerëz do punësohen atje.

AIDA PEMA HIMCI: Ajo KKRTSH kur të japë lejet bën mirë që të shohë, jo vetëm numrin e jahteve që do ankorohen, por edhe numrin e garazheve për pallate në Durrës, sepse s’ka vend ku t’i lemë. Çdo familje garazhin e saj, se jahtin na duhet ta ëndërrojmë. Po me hotel Iliria çfarë është bërë, se ruhet ditën dhe i prishen muret natën. Më pëlqeu artikulli në gazetë kushtuar kësaj ndërtese, se arkeologjinë po e qelbin fare si në tokë edhe në det.

ELI ENES:Projekte të tilla janë të mirëpritura për qytetin e Durrësit. Por momentalisht kush investitor vjen të investojë 30 milion euro me një koeficient risku investimesh gati 100%. Flasim për investitorë seriozë jo ato investitorë që mendojnë të gjejnë ndonjë lavatriçe këtu.

XHORXHI QEROSI: Shpresojmë që të realizohet, se me llafe jemi ngop. Do të shtoja: po të bëhej tek Bishti i Pallës, do të ishte më mirë. Nuk jam specialist në këtë fushë. Meqenëse detin e njoh mirë, siç e njohin të gjithë durrsakët doja të thoja që aty ku është baza ushtarake, mund të bëhej ky port.

GJERGJI ANASTASI:Dhe unë shpresoj që të realizohet (ashtu si unë të gjithë e duan këtë dhe shumë investime serioze). Por ta bëjnë kur organi kompetent (që është arkeologjia nënujore) të ketë dhënë aprovimin që në atë zonë nuk ka reperte arkeologjike. I gjithë Durrësi është një zonë bregdetare, së cilës ende nuk i është bërë harta e bregdetit të tij. Unë them se për investime të mëdha mund edhe të bëhet kërkesa dhe arkeologjia duhet t’i japë prioritet.