Batiskafi i parë shqiptar do të realizohej nga një grup të rinjsh durrsakë rreth 20 vjeçarë, të cilët duke dalë mbi skepticizmin e kohës realizuan mjetin nënujor që u përdor gjatë xhirimeve të filmit “Ballë për ballë”. Thoma Berberi, pionierit të mjeteve nënujore të marinës sonë, do t’i jepej në atë kohë vetëm një numër telefoni si shpërblim. Rreth 20 vjet më vonë, atëherë kur batiskafi “Rinia” ishte shitur për skrap, oqeanografi i famshëm, Zhak Pikard, do të vlerësonte me admirim sipërmarrjen e një djaloshi që thuajse i vetëm e pa teknologjinë e duhur bëri ëndrrën realitet

Në vitin 1996, Thomai do të krijonte K.A.N.U.D., një klub njerëzish që kanë një të përbashkët, pasionin për thellësitë blu të detit. Interesimit të madh të të huajve për të zhvilluar ekspedita nënujore në bregdetin shqiptar Thomai nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht, pasi moratoriumi i skafeve, në fuqi prej disa vitesh, e bën të pamundur këtë gjë. Aktualisht veprimtaria e këtij klubi, që vetfinancohet nga Thoma e Erald Berberi, është përqendruar në peshkim, zhytje, eksplorime të fundit të detit, arkeologjisë nënujore etj

Ishin vitet ‘70 dhe gjithkush që ka jetuar e punuar në atë kohë e di sesa e vështirë ishte situata për shkak të izolimit të vendit dhe mungesës së komunikimit dhe shkëmbimit tregtar e industrial me shtetet e tjera. Shqipëria kishte hyrë ne spiralen e slloganit “Me forcat tona” dhe gjithçka po bëhej më e vështirë. Pikërisht në këtë kohë, një djalë i ri durrsak kishte në mendje një ide fikse; të ndërtonte një pajisje që do t’i mundësonte fotografimin e botës nënujore. I lidhur që në fëmijëri me detin, ai ishte zhytur mjaft herë në thellësi dhe kishte parë atje florën dhe faunën, shumë të ndryshme nga ajo e tokës. Edhe sot e kësaj dite, kur kanë kaluar shumë vite dhe ai ka disa thinja më shumë, pasioni për detin, për thellësitë, për pasuritë nënujore, peshkimin dhe arkeologjinë janë pjesë e pandarë e fundjavave të tij.

Thoma Berberi, apo Mai siç e njohin të gjithë, në vitet ’70 realizoi një sipërmarrje që pak kush do ta kishin cilësuar shumë të guximshme, ndërsa pjesa tjetër do ta quanin thjesht utopi. Por pavarësisht vështirësive, ai së bashku me vëllezërit dhe një grup të vogël shokësh e bashkëpunëtorësh arriti të ndërtonte batiskafin e parë, me të cilin u xhiruan skenat nënujore të filmit “Ballë për ballë”, apo u përdor për të bërë matjet e fundit të detit për të zbuluar zonat ku shpresohej të zbulohej naftë. Në kohën e inagurimit, ndërtimi i batiskafit bëri shumë bujë. TVSH-ja u dedikoi një dokumentar më shumë se 20 minuta djemve të angazhuar në këtë projekt, ndërsa gazeta dhe revista të kohës e propaganduan atë si një arritje mjaft të madhe të këtij grupi durrsakësh nën 30 vjeç, që duke zbatuar direktivat e Partisë së Punës dhe shokut Enver arritën të bënin realitet një sipërmarrje mjaft të vështirë.

Pasioni për detin

“Gjithçka nisi nga pasioni për detin”,- thotë Thomai. Së bashku me vëllezërit e tij Nikolla, Arbeni e Oresti ai shkonte shpesh të zhytej në Currila. Zhytja nuk bëhej aspak si sot, kur mund të blesh pajisjet e nevojshme për një zhytje të specializuar. Atëherë djemtë kishin vetëm nga një maskë që lidhej me një tub plastik (i ngjante një kundragazi) e u lejonte të shihnin pak nën sipërfaqen e detit. Ajo ç’ka shihte poshtë ishte një mister më vete për Main dhe ai donte të gjente një mënyrë për ta fotografuar apo xhiruar atë peisazh nënujor, ku flora e fauna ndërthureshin bashkë për të krijuar një harmoni mbresëlënëse. “Për këtë,- kujton,- nisa të ndërtoja një kuti metalike (kustodie) brenda të cilës do të futej aparati fotografik apo kamera. Ishte vetëm 18 vjeç kur trokiti në dyert e Kinostudios për të prezantuar projektin e tij. Mai kujton se të gjithë e shihnin me mosbesim dhe skepticizëm, nisur nga mosha e tij mjaft e re, por edhe nga projekti që parashikohej të shoqërohej nga rrezikshmëri e lartë. Vetëm Dhimitër Anagnosti, regjizori i njohur, premtoi se do ta ndihmonte. Ishte viti 1971, kur, pas diskutimit në Kinostudio, u ra dakort të filmohej fundi i detit me një kamera Arriflex 35mm, e cila do të futej në Kustodien apo Box-in, në formë trapezi, i ndërtuar me llamarina treshe zingato. Zhytja u caktua të bëhej në Bristal, në gadishullin e Karaburunit.

Së bashku me Thomain dhe njërin nga vëllezërit e tij do të zhytej edhe operatori Lionel Konomi, i cili do të filmonte. Gjatë kësaj prove të parë Thomai kujton se u përballën me një problem, që se kishin parashikuar. Ndërsa ndodheshin në thellësi Lioneli, si duket u tremb dhe nuk po dinte të përdorte bombulën e oksigjenit, pra thuajse u bllokua. Thomait dhe vëllait të tij, Nestit, ju desh ta ndihmonin për të dalë në sipërfaqe. Kur futën kasetën në video për të parë çfarë ishte filmuar u konstatua se pamjet ishin të patransmetueshme pasi kishin shumë luhatje. Mai u zhgënjye disi, pasi kishte shpresuar mjaft se do realizonte diçka të bukur, por gjithsesi nuk i hoqi shpresat. Duke llogaritur edhe rrymat detare që në vende të ndryshme mund ta bënin mjaft të vështirë filmimin në thellësi, si dhe faktin që njëherë kustodia kishte futur ujë dhe kishte dëmtuar kamerën, ai mendoi të ndërtonte një pajisje, që do t’u mundësonte zhytësve dhe kameramanëve të futeshin në të dhe të filmonin nga obllat (dritaret) e saj. Dhe kështu do të niste puna për projektimin dhe ndërtimin e batiskafit.

Njohja me Ilir Hoxhën

Në atë kohë, Mai punonte në repartin ushtarak që ndodhej në Kodër Vilë. Me Halit Zhupën, komandantin e repartit e lidhte një miqësi e vjetër. Kur i kishte parashtruar idenë e tij, Zhupa i kishte thënë duke qeshur: “Në Bashkimin sovjetik, vetëm se kanë dalë nga nëndetësja janë bërë heronj, ti dashke të bësh batiskaf”. Main e ngacmoi kjo shprehje dhe nisi të ëndërronte se si ata rusët që ndodheshin shumë e shumë km larg edhe ai mund të bëhej hero i vendit të tij. Por kjo ishte mjaft e vështirë për t’u realizuar; e para se në repartin ushtarak nuk mund ta vinte në jetë projektin që po i vërtitej në mendje, e dyta, kujtdo që ia thoshte e merrte me të qeshur ose me mosbesim. Në atë kohë, djali i Enver Hoxhës, Iliri, punonte tek UMB-ja dhe ishte shef i zyrës së konstruksioneve të reja. Prandaj dhe Mai duhet të niste të punonte patjetër aty. Ju bë ferrë Halit Zhupës derisa e bindi të ndërhynte për ta dërguar në ndërmarrjen mekanike bujqësore. Pas aprovimit nga Komiteti i partisë, Mai nisi punë aty, po prapë e kishte të vështirë të kontaktonte me Ilirin, pasi ndoshta dhe ai si shumë të tjerë do qeshnin me idenë e tij, për më tepër që ishte djalë i ri e me formim profesional të mesëm.

Gjithsesi fati duket se i erdhi në ndihmë. “Në atë kohë,- tregon Thomai,- ne ishin duke prodhuar disa kollodokë për motorët e makinerive bujqësore, po ritmi i punës ishte mjaft i ngadaltë. Në ndërmarrje ndodhej dhe një makineri, prodhim gjerman, por që kishte kohë që ishte jashtë funksionit”. Pasi i bindi shefat e tij se mund ta rivinte në punë, Mai përveshi mëngët dhe ia doli mbanë. Tashmë proçesi i punës u përshpejtua mjaft dhe prodhoheshin sasi të mëdha kollodokësh. Kjo gjë nuk mund të mos kalonte pa u marrë vesh nga Ilir Hoxha, i cili e thërriti në zyrën e tij. Tashmë Mai kishte mundësinë e tij të artë e duhet ta shfrytëzonte. Pasi dëgjoi fjalët e mira të thëna nga Iliri për të, Mai përfitoi t’i parashtronte projektin e tij. Në fillim Iliri, si dhe të tjerët u tregua skeptik, por pastaj duket se u bind nga mënyra sesi e argumentonte mekaniku i ri projektin e rëndësishëm. Duke e parë kantierin detar si vendin më të përshtatshëm për ndërtimin e batiskafit, Iliri e dërgoi Main pikërisht atje dhe e prezantoi me drejtorin e portit, Agron Fishta dhe shefin e byrosë së konstruksionit, Gani Ismailati. Mai u urdhërua të punonte së bashku me Ganiun, që ishte në të njëjtën kohë Hero i Punës Socialiste.

Ndërtimi i batiskafit

Burimi kryesor i informacionit për projektimin dhe ndërtimin e batiskafit ishte literatura e huaj në rusisht, frëngjisht apo italisht. Revistat shkencore, që ndodheshin në fondin e bibliotekës, jepnin informacione për batiskafet e ndërtuara në perëndim, si p.sh. për “Trieste” e Zhak Pikard, dhe kjo i ndihmoi vëllezërit Berberi për të projektuar mjetin detar. Pas disa përplasjeve me Gani Ismailatin, përsa i përket projektit të batiskafit, Mai i kërkoi drejtorit të portit të punonte vetëm. Kërkesa u miratua, por në këtë projekt do të angazhoheshin pas orarit të punës. E kështu djemtë mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit në fillim për të bërë llogaritjet e nevojshme dhe skicimin e projektit e më pas në ambientet e kantierit detar, atje ku do të merrte formë avash-avash batiskafi i parë shqiptar.

Së bashku me Thomain punonin dy vëllezërit e tij, Nikolla dhe Oresti, si dhe saldatori Nikolla Leka apo mekaniku Agim Mema. Herë pas here këtij grupi i shtoheshin edhe persona të tjerë, në varësi të proçesit të punës. Ndërsa projekti kishte marrë fund vështirësitë haseshin tashmë në terren ku nuk mund të gjeje me lehtësi pjesët përbërëse të mjetit. Në Shqipërinë e asaj kohe mungonin shumë gjëra. Ndërsa proçesi i ndërtimit po shkonte drejt fundit problemi më i madh i Mait ishte sigurimi i dy kupolave të batiskafit, që nuk po arrinte t’i gjente. Më në fund arriti t’i bënte ato në një makineri në Tiranë që përdorej për ndërtimin e bunkierëve. Kur shkoi me to në kantier, shokët nuk po arrinin t’u besonin syve. Tashmë kishte mbetur veç të bëhej inagurimi dhe të provohej batiskafi nën ujë. Mjeti ishte i pajisur me sistem navigacioni dhe frymëmarrjeje, kishte dy motorë elektrikë dhe dy helika për lëvizjen nën ujë. 

Në një ditë vjeshte të fund nëntorit të vitit 1977, batiskafi i pagëzuar me emrin “Rinia” u lëshua në ujërat e portit. E kështu 25 nëntori i 1977 do të shënonte nisjen e historisë së batiskafit “Rinia”, një sipërmarrje gati-gati heroike për grupin realizues. Suksesi i këtij mjeti ishte përgjigja më e mirë për grupin e skeptikëve, që nuk besonin se një grup djemsh, ku askush nuk ishte më i madh se 30 vjeç e për më tepër as inxhinierë të dëgjuar, të ndërtonin këtë mjet detar. Gjithsesi Mai nuk u bë hero, si ata heronjtë e largët rusë, por mori veç një numër telefoni, që vazhdon ende ta përdorë. Në të njëjtën kohë ai fitoi me të drejtë emërtimin pionier i ndërtimit të mjeteve të marinës nënujore shqiptare. Gjithashtu, atij iu dërgua në atë kohë edhe një letër nga udhëheqësi, Enver Hoxha, që i falenderonte djemtë për punën e bërë në arritjen e majave të revolucionit tekniko-shkencor.

Fundi i batiskafit “Rinia”

Pasi rezultoi një sukses, batiskafi nisi të përdorej tashmë për të filmuar botën nënujore (ëndrra e vjetër e Thomait), por dhe për të bërë matje të ndryshme. Atë që nuk arriti të realizonte me operatorin Konomi, Thomai ia doli me regjizorin e njohur Pirro Milkani. Së bashku me Milkanin, Mai zbriti vetë në  thellësitë detare për të xhiruar disa nga skenat e filmit “Ballë për ballë”. I vetmi shqetësim i Pirros në atë kohë ishte të maste dritën me ekspozimetër, duke harruar  se ndodheshim në thellësitë e detit dhe mund të na ndodhte gjë”,- rrëfen Thomai. Gjithsesi ai nuk kujton të jetë regjistruar ndonjë incident gjatë kohës së funksionimit të batiskafit. Mai tregon se batiskafi ishte funksional deri në vitin 1989. Më pas, në vitet ‘90 ai u braktis dhe në ‘94 u braktis dhe u shit për skrap. Megjithëse mund t’i rezervohej një vend në muze, për ta ruajtur si relike, “lufta e klasave” në demokraci nuk kurseu as atë. Meqë batiskafi etiketohej “komunist”, ai nuk mund t’i shpëtonte furisë së prishjeve të gjithçkaje që të kujtonte atë kohë.

Eraldi ndjek gjurmët e të atit

Duket se pasionin për detin dhe gjithçka që lidhet me të Thomai e ka trashëguar edhe tek i biri, Eraldi. Por ky nuk është pasioni i vetëm. Ashtu si i ati ndërmorri në një moshë mjaft të re një inisiativë mjaft guximtare për kohën, edhe Eraldi shfaqi pasionin e tij për teknologjinë nënujore. Në një kohë kur batiskafi “Rinia” nuk ekziston më dhe kustodiet janë paksa të dala mode dhe përdoren vetëm në rrethana të caktuara, Eraldi ju fut ndërtimit në një roboti nënujor, i cili do të filmonte fundin e detit, por do të komandohej nga sipërfaqja. Pra, tashmë nuk është më e nevojshme të dërgosh njeri në thellësi, roboti “Eraldi, Sea eye” (Eraldi, Syri i detit) zhytet deri në 150m dhe falë kamerës të inkorporuar në trupin e tij shfaq në kohë reale në ekranin e kompjuterit pamjet që fsheh fundi i detit.

Të gjitha komandat, qoftë ato që kontrollojnë lëvizjet e robotit nën ujë e qoftë ato që aktivizojnë kamerën, kryhen nga sipërfaqja. Mjetin nënujor, Eraldi e prezantoi një vit më parë, gjatë aktivitetit “Open Port2”. Natyrisht që për llogaritje të ndryshme teknike Eraldin e ka ndihmuar babai i tij, kështu që roboti mund të konsiderohet një risjellje në jetë e batiskafit “Rinia”, megjithëse shumë i ndryshëm në strukturë, formë e madhësi duke iu përshtatur kështu teknologjisë së kohës. Eraldi tregon se roboti i tij është përdorur për të eksploruar anijen tregtare “Reina 5”, që u fundos muaj më parë 20 milje larg portit të Durrësit. Në të njëjtën kohë, Thomai dhe Eraldi e përdorin atë për të vazhduar eksplorimin e bregdetit durrsak dhe të fshehtave që ai ende vazhdon të ruajë në thellësi.

Klubi i Aktiviteteve Nën Ujore Durrës (K.A.N.U.D.)

Librat e Zhyl Vernit, sidomos “20 mijë lega nën det”, gjallëronin imagjinatën e Thomait që kur ishte i vogël. Kur mundi ta realizonte ëndrrën e tij, të filmonte botën nënujore, dëshira për eksplorime nuk iu shua aspak. Dashuria që e lidh me detin është mjaft e fortë dhe pasioni për thellësitë e vuri në kontakt me të tjerë të apasionuar, qofshin këta vendas apo të huaj. Në vitin 1996, Thomai do të krijonte K.A.N.U.D., një klub njerëzish që kanë një të përbashkët, pasionin për thellësitë blu të detit. Në ato vite, ata u vunë në kontakte me zhytës italianë dhe të vendeve të tjera europiane, të cilët erdhën në Shqipëri për të bërë ekspedita të përbashkëta. Thomai tregon se tashmë klubin e menaxhon së bashku me të birin, Eraldin, dhe është një klub që vetfinancohet, pasi vëmendja shtetërore apo ajo e ndonjë donatori të mundshëm është zero.

Megjithëse ka kërkesa të shumta nga të huaj që kërkojnë të zhvillojnë ekspedita nënujore në vendin tonë, Thomai nuk mund t’u bëjë atyre ftesë për të ardhur. E kjo, jo sepse u mungojnë mjetet, por sepse moratoriumi i skafeve, në fuqi prej disa vitesh, e bën të pamundur këtë gjë. Aktualisht klubi numëron rreth 40-50 anëtarë dhe veprimtaria e tij është e përqendruar kryesisht në peshkim, zhytje etj. Gati çdo fundjavë, sidomos tashmë që ka ngrohur koha ata marrin varkën e pushkët nënujore, veshin tutat e zhytjes dhe nisen për gjueti. Shpesh filmojnë sipërfaqe të ndryshme nënujore dhe filmimet i publikojnë në website e klubit, që siç thotë Eraldi do të vazhdojë të pasurohet me materiale të tjera. Një nga këto filmime, janë dhe ato për anijen prej betoni të zbuluar në bregdetin durrsak pikërisht prej këtyre njerëzve, që detin e kanë kthyer në pjesë të pandarë të jetës së tyre.

Zhak Pikard i shkruan Thoma Berberit

Për të realizuar projektin e batiskafit të tij, Thoma Berberi, do të bazohej mjaft në të dhënat e batiskafit “Trieste” të një prej oqeanografëve më të famshëm të të gjitha kohërave. Francezi Zhak Pikard do të projektonte batiskafin “Trieste” me të cilin arriti të ulej në thellësinë më të madhe oqeanike, në humnerën detare të Marianeve, pranë Filipineve. Ndërsa batiskafi i Pikard ishte shumë më i sofistikuar sesa “Rinia” shqiptare, francezi u habit mjaft nga mjeti i krijuar nga Berberi, për më tepër që në Shqipërinë e asaj kohe mungonin teknologjitë bashkëkohore, që do të mundësonin një sipërmarrje të tillë. Meqë Shqipëria në ato vite nuk kishte kontakte me botën perëndimore, batiskafi i Berberit ngeli i panjohur. Vetëm pas viteve ’90, kur gazetari Mario Clementi do të botonte në revistën “Mondo Sommerso” historinë e Thoma Berberit dhe batiskafit “Rinia”, Zhak Pikard do të njihej me historinë e simotrës së vogël të “Triestes” së tij. Duke kujtuar stafin dhe teknologjinë që kishte në dispozicion në kohën kur ndërtoi dhe kolaudoi “Triesten”, Pikard nuk ka si të mos habitet dhe të shprehë admirimin e tij për Main, që thuajse i vetëm ideoi, projektoi dhe realizoi batiskafin shqiptar. Kjo letër e dërguar nga i madhi Pikard, mbi projektin e të cilit ishte bazuar Mai, e entuziasmoi këtë të fundit, pasi një i huaj vlerësoi maksimalisht përpjekjen e tij, përpjekje ndoshta e pavlerësuar si duhej në vendin e tij.