Të ndalohet therja e kafshëve. Në çdo njësi vendore të ngrihen grupet Task forcë për të parandaluar fenomenin, i cili rrezikon shëndetin e konsumatorëve. Këtë akt normativ të qeverisë shqiptare e ka marrë në shqyrtim prefektura e Durrësit e cila ka vendosur që gjatë muajit shtator, të mbyllë të gjitha pikat e paligjshme të therjes dhe tregtimit të mishit. Prefekti kërkoi zbatimin me përpikmëri të ligjit, për fillimin e kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut të Durrësit, si dhe ngritjen e tre grupeve Task Forc të inspektimit në përbërje të cilit janë inspektorë nga të gjitha institucionet pjesëmarrëse në Task Forcën Rajonale.

“Kontrollet do të kenë si objekt inspektimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik të therjes së kafshëve ose tregtimit të mishit dhe të produkteve me origjinë shtazore të cilat nuk plotësojnë kërkesat higjeno- sanitare dhe tekniko-teknologjike përkatëse. Prefekti kërkoi ndërhyrjen e Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit për prishjen e subjekteve të paligjshme të ndërtuara në anë të rrugës dhe që ofrojnë këto lloj shërbimesh.

“Funksionet e kontrollit të mishit dhe të therjes janë funksione  të drejtpërdrejta për veterinerin e bashkisë dhe të komunës të cilët do të mbajnë përgjegjësi për sigurinë ushqimore të konsumatorit në territorin e tyre”,- tha kreu i AKU-së, Genc Juka.

Debatet

Ndërkaq debate janë zhvilluar ndërmjet krerëve të komunave dhe të bashkive me kreun e AKU-së Genc Juka për faktin se bllokimi i të gjithë subjekteve të therjes dhe tregtimit të mishit kërkon që të ndërtohen thertore të posacme dhe mishi të shpërndahet në bazë të kushteve higjeno sanitare. Krerët e komunave dhe të bashkive të qarkut të Durrësit në mbledhje njëzëri kanë ngritur si problem madhor mungesën e thertoreve në njësitë e tyre vendore.

“Nëse do të mbyllim të gjithë dyqanet dhe pikat e tregtimit të therjes së mishit, ku do të theret mishi nga këto subjekte?”,- tha keu i bashkisë së Manzës, Bujar Huqi. Nga ana tjetër kreu i bashkisë së Shijakut, Indrit Buka, tha se “duhet autoritet dhe bashkëpunim me të gjithë strukturat e shtetit, që ky akt normativ të gjejë zbatim, për vetë faktin se në bashkinë e Shijakut ashtu si edhe në komunat përreth mungon një thertore.

Thertorja 

Në përgjigje të kësaj kreu i AKU-së, Juka tha se nga fillimi i kësaj jave nisin aktivitetin dy thertore në qytetin e Durrësit dhe Kavajës. Thertorja për Durrësin do të funksionojë në lagjen nr. 14 në Shkozet, ku çdo subjekt tregtar, kundrejt pagesës, do të bëjë therjen e mishit dhe më pas shpërndarja e tij do të bëhet me makina frigoriferike. Ndërkaq në mbledhje është vendosur që të ngrihen tre njësi task forcë në rang qarku, ku për çdo shkelës të ligjit gjobat variojnë nga 100 deri në 300 mijë lekë reja.

Reagime

Kasapët dhe tregtarët e mishit në Durrës janë krejtësisht kundër këtij akti normativ, i cili pritet të vihet në zbatim nga Task Forca. Tregtarët e dyqaneve të mishit përshëndesin inisiativën për bllokimin e subjekteve të palicensuar dhe atyre që shesin jashtë kushteve higjeno sanitare, ndërsa shprehen se nuk do të operojnë me thertoren.

Ata janë njohur edhe më parë me këtë udhëzim, i cili sipas tyre bëhet që një subjekt i biznesit të madh të ketë një aktivitet dhe të ardhura të sigurta. Pjesa më e madhe e tregtarëve të mishit në Durrës e blejnë mishin në qytete të ndryshme të vendit dhe kanë ndërtuar thertore individuale, investime të bëra nga vetë ata në shërbim të biznesit të tyre.