Katër shkolla, dy të sistemit 9-vjeçar dhe dy të mesme, në rrethin e Durrësit nuk do të nisin procesin mësimor në godinat e tyre këtë 10 shtator. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës. Këtë vit është ndërtuar shkolla e re e mesme në zonën e ish kënetës, por ajo nuk është ende gati të presë nxënësit e saj prandaj procesi mësimor do të realizohet fillimisht në ambjentet e Shkollës së Re 9 vjeçare të kësaj zone.

Një tjetër shkollë e mesme në qytetin e Durrësit, ajo teknologjike “Hysen Çela”, edhe këtë vit shkollor do të vijojë shtegtimin. Pas një viti në klasat e gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, nxënësit dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle do ta zhvillojnë procesin mësimor në turnin e pasdites pranë gjimnazit “Naim Frashëri”, i cili vetë rrezikon të zhvendoset në rast se bashkia e Durrësit do të nisë procesin e tenderimit për rikonstruksionin e tij në muajt e ardhshëm.

Edhe në shkollën e re 9 vjeçare të Fllakës mësimi nuk do të nisë normalisht.

Drejtori i DAR, Filip Gjonçi ka menduar të kërkojë një shtyrje 10 ditore për fillimin e shkollës atje, ose do të zhvillohet përkohësisht në dy ambjente private të fshatit, ku është zhvilluar edhe vitin e kaluar. Ndërkaq në fshatin Rreth të komunës Xhafzotaj mësimi nuk do të zhvillohet, pasi shkolla do të ndërtohet nga e para dhe nxënësit e saj do të udhëtojnë drejt shkollës së fshatit Pjesëz deri në përfundim të shkollës së tyre.

Përveç shkollës së fshatit Rreth me fonde të buxhetit të shtetit këtë vit nis ndërtimi dhe i dy shkollave të tjera 9 vjeçare, asaj të fshatit Romanat dhe fshatit Sukth Katund.

Arsimi në Durrës

 

Shkolla 9-vjeçare publike:      

21 në Durrës; 51 në Shijak, Sukth dhe fshatra

Shkolla 9 vjeçare jopublike: 13

Shkolla të mesme publike të përgjithshme

5 në qytet; 8 në fshatra

Shkolla profesionale: 4

Shkolla të mesme jopublike: 11