Një vit pasi volejbollisti i ekipit të Teutës së Durrësit, Juxhin Guza, ka ndërruar jetë në duart e mjekëve pas një plagë të marrë në kofshë, asnjë person nuk është vënë para drejtësisë për krimin e rëndë. Edhe pse fill pas tragjedisë së 13 shtatorit të vitit 2011 në mjediset e policisë janë izoluar për disa orë më shumë se 30 persona, prej të cilëve 12 në cilësinë e dëshmitarëve, kurse të tjerët të skeduar për aktivitet të paligjshëm, nuk u bë e mundur të identifikohet autori që i nguli thikën në trup Guzës.

Policia, e zënë në befasi për këtë rast, ofroi 30 mijë euro për të mësuar dhe identifikuar emrin e autorit që e çoi drejt vdekjes volejbollistin, por edhe në këtë rast nuk mundi të bjerë në gjurmën e autorit të vrasjes së të riut të pafajshëm. Ngjarja e rëndë tronditi të gjithë qytetin bregdetar edhe për faktin se më së shumti dyshohet që krimi mund të jetë kryer nga hajdutë, që kanë synuar të grabisin varësen e florinjtë të volejbollistit.

Asokohe policia garantoi anonimatin për çdo person që do të ofronte një informacion të saktë dhe e mori shumë me përkushtim punën zbuluese për zbardhjen e krimit fatal që i mori jetën 24-vjeçarit. Juxhin Guza u qëllua disa herë me thikë rreth orës 01.30 të datës 13 shtator, në afërsi të shtëpisë së tij, në lagjen 5 të Durrësit. Policia ka bërë të ditur se Guza është goditur në mënyrë kriminale nga persona të armatosur me mjete të ftohta.

Mjekët

Fillimisht policia e Durrësit bëri të ditur se 24-vjeçari kishte mbetur i plagosur dhe se gjendej jashtë rrezikut për jetën. Me kalimin e orëve shëndeti i tij është përkeqësuar, ndërsa rreth orës 19.00 të 13 shtatorit zemra e të riut pushoi së rrahuri. Guza kishte disa vite që aktivizohej si volejbollist i skuadrës së Teutës, e cila u shpall këtë sezon kampione kombëtare.

Ai u dërgua shumë shpejt në spital, falë edhe faktit se vendi i krimit nga urgjenca e spitalit nuk ishte më shumë se 1 km, por pas disa orësh, megjithë mjekimin e marrë, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Ndërsa hetimet nisën në disa pista, prokuroria kërkoi dhe realizoi dy arrestime.

Dy mjekë të spitalit rajonal të Durrësit u vënë në pranga disa orë, pasi Guza ndërroi jetë në reanimacionin e urgjencës së spitalit të Durrësit. Dalip Çela, mjek kirurg dhe Nuri Qyra, mjek reanimator janë akuzuar për mjekim të pakujdesshëm duke shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin. Arrestimi i mjekëve erdhi  pas hetimeve intensive që ka zhvilluar prokuroria e Durrësit që nga data 13 shtator e vitit 2011 kohë që në urgjencën e qytetit u paraqit i plagosur me thikë, 24- vjeçari Juxhin Guza.

Edhe pse fill pas tragjedisë së 13 shtatorit të vitit 2011 në mjediset e policisë janë izoluar për disa orë më shumë se 30 persona, prej të cilëve 12 në cilësinë e dëshmitarëve, kurse të tjerët të skeduar për aktivitet të paligjshëm, nuk u bë e mundur të identifikohet autori që i nguli thikën në trup Guzës 

Mjekët në fjalë kanë qenë në shërbim në çastet e mbërritjes së urgjencës. Kartela e mjekimit është bërë pjesë e dosjes së hetimit, ndërkohë që mjekët e arrestuar kanë qëndruar në qelitë e paraburgimit për disa javë. Guza është qëlluar me thikë në kofshë nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që në urgjencë i është nënshtruar mjekimit në kohën që aty kanë qenë në punë mjekët e sipërpërmendur.

Akuza e prokurorisë së Durrësit e ngritur ndaj dy mjekëve të shërbimit të urgjencës ishte për neglizhencë të theksuar në punë dhe mjekim të pakujdesshëm duke shkaktuar pas disa orësh vdekjen e volejbollistit 24 vjeçar, Juxhin Guza. Burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur se vdekja e të riut është shkaktuar nga hemoragjia e brendshme, pasi gjatë sulmit persona ende të paidentifikuar, i kanë prerë arterien femorale, ndërsa riparimi i saj nuk ishte bërë i mundur gjatë operacionit në spital.

Disa pista janë ngritur fill pas ngjares, ndërsa mësohet se aktualisht mbetet ajo e grabitjes së dhunshme me pasojë vdekjen. I riu nuk ka pasur asnjë lloj konflikti si person apo familje dhe jeta e tij e qetë ka bërë që çdo dyshim të bjerë poshte duke lënë në dosje vetëm atë të një akti kriminal nga grabitës ordiner.