Me 24 gusht kampionati shqiptar i futbollit, hapi faqen e tij të parë. Ndër 14-të ekipet pjeswmarrëse të kategorisë superiore është edhe Teuta e Durrësit. Kujtojmë që durrsakët janë nënkampione e vendit dhe deri në minutat e fundit të rënies së siparit të kampionatit pretendonte për titullin kampion. Iu ofrua shumë ëndrrës, për të pronësuar për të dytën herë titullin, ashtu siç kishte bërë më parë me 30 prill të vitit 1994.

Një barazim me Kamzën në Durrës, nga rezultatet më suprizante të kampionatit, Teuta iu largua në mënyrë të dhimbshme dëshirës, për të arkivuar për të dytën herë në historinë e futbollit të saj 92 vjeçar trofeun aq të lakmuar të kryezonjës së futbollit shqiptar. Por ajo që vlen në këtë koment, është këndshikimi në kampionatin e ri të sapo nisur, ku Teuta vazhdon të mbetet lakmitare për titullin.

Njëlloj si më parë, vazhdon të mbetet prezente mbështetja e fuqishme financiare e Bashkisë së Durrësit. Trajtimi ushqimor, që tashmë jepet në formë page mujore, për 26 ditë të muajit është 500.000 lekë të vjetra për shumicën e futbollistëve. Kjo pagë përfshin titullarët dhe një pjesë futbollistësh që janë tejet aktivë në përmbushjen e detyrave.

Kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra i takon presidentit ambicioz Edmond Hasanbelliut, që si mbështetje financiare janë kontratat që lidhen me futbollistët, trajtimi i merkatos verore dhe dimërore, si dhe premiot që vendosen në raste të veçanta. Futbollistët përfitojnë nga presidenti i tyre edhe për rezultatet pozitive që arrihen në Niko Dovana dhe veçanërisht në transfertë.

Hasanbelliu i ndihmuar nga këshilltarët dhe stafi teknik i ekipit, realizoi edhe këtë vit një merkato racionale në funksion të objektivave dhe synimeve të ekipit. Ekipi shtohet me dy vlonjatë pikantë: mbrojtësin Artan Sakaj dhe sulmuesin 35 vjeçar Daniel Xhafaj. Si përforcim në lojën sulmuese është marrë edhe kosovari luajtur sezonin e kaluar me Pogradecin Isa Eminhazeri.

Ogur i mirë për futbollin durrsak mbetet edhe Akademia e saj, që po kthehet në një shkollë që prodhon futbollistë cilësorë. Teuta nënkapione më të rriturit, është kampione e Shqipërisë me të rinjtë. Është kjo arsyeja që në dispozicion të trajnerit Lika janë futbollistët e rinj me të ardhme si Kristi Marku, Alfred Deliallisi, Enio Petro, Rexhep Memini, Arbër Çyrbja etj.

Ky kontingjent ndërthuret në mënyrën më të mirë me futbollistët e rinj që ishin prezentë edhe sezonin e kaluar, si Renato Hyshmeri, Ansi Nika, Albi Dosti, Altin dhe Rustem Hoxha, Leotrim Pajaziti e ndonjë tjetër. Teuta ndërthur në mënyrë bindëse të renë me përvojën, që përfaqësohet nga “garda e vjetër” si Arjan Sheta, Artan Sakaj, Daniel Xhafaj, Akil Jakupi, Bledar Mancaku, duke patur në prehërin e saj edhe kualitetete të tilla si Emiljano Veliaj, portjeri Bledian Rizvani dhe braziliani me një mbiemër tradicional dhe të njohur Da Silva.

Largimi i drejtorit teknik Sulejman Starova, nuk e tronditi stafin ekzistues që drejtohet nga trajneri i njohur, tiranasi Hasan Lika që me 1 janar 2013 mbush 53 vjeç. Hasanbelliu është i bindur se me Likën, Teuta do të vazhdojë njëlloj si më parë pretendimet për titullin kampion, duke mos lënë menjëanë edhe synimet për Kupën e Shqipërisë.

Si me 12 shtator të 2012-tës

Me 26 gusht 2012, java e parë e kampionatit e gjen Teutën në fushën e vështirë të Shkumbinit. Gjithnjë java e parë është testim dhe konstatim i asaj çka është bërë dhe i asaj se çka shpresohet. Me 12 shtator të vitit 2011, Teutën java e parë e gjen në transfertë, ku e priste rivalja e saj e vjetër Tirana.

Goli i serbo bosnjakut Vlado Markoviç, i dha fitoren e bujshme durrsakëve, të cilët në rrugën e kthimit nga Tirana në Durrës kishin kohë të skiconin me ngjyra pikante portretin e një ekipi pretendent për titull. Opinioni sportiv durrsak mbajti frymën edhe në atë pasdite të nxehtë të 26 gushtit, kur Teuta e tyre mbërthehej në transfertën e vështirë dhe delikate të njërës prej fushave më problematike të topkëmbës shqiptare atë të Peqinit.

Janë larguar futbollistë të tillë si Osmani, Stafa, Çota, Bakiasi, Pepa të cilët ishin me peshë në Teutën e para pak muajve më parë. Ardhjet e reja me futbollistë të vjetër si Sakaj dhe Xhafaj, priteshin me padurim për të provuar cilësinë dhe nivelin e merkatës. Për përgatitjen e ekipit Hasanbelliu kishte harxhuar jo pak, pasi rezidenca e tyre edhe këtë herë u bë vendi i freskët dhe klimaterik i Bankos në Bullgari, në rrëzë të maleve të famshme evropiane të Pirit.

Teuta u përforcua edhe me shqiptaro maqedonasin Flamur Tairi, që fati nuk i shkoi për mbarë për t’u kontraktuar në klubet e njohura të futbollit zviceran. Po kështu për mirë u fol edhe për kosovarin Isa Eminhazeri, që shënoi 7 gola me Pogradecin e edicionit të kaluar. Teuta duket se u bë kompetitive dhe orkesi i saj kështu me këto zhvillime u bë edhe më i madh.

Përforcimet u bënë në mbrojtje dhe në sulm, pasi mesfusha është e mbipopulluar ku shquhet fantazisti beratas Emiliano Veliaj. Në orën 17.00 të së dielës së 26 gushtit, vëmëndja përqednrohet në Peqin, ku Teuta hapte prologun e kampionatit të 74-të kombëtar të futbollit. Si do të ishte nisja? 90 minutat e lojës e nxorrën ekipin durrsak fitues të ndeshjes, duke ravijëzuar portretin simpatik dhe tërheqës të nënkampiones.

U përsërit 12 shtatori i vitit të kaluar, ku Teuta në mes të Tiranës kreu atë fitore spektakolare duke denoncuar haptas objektivat për trofe. Paralelja tërhiqet e saktë edhe në këtë 26 gusht, kur Teuta me tri pikët fiton edhe kënaqësinë e opinionit durrsak, por edhe analizat pozitive të analistëve të spikatur të futbollit.

Sido që të ndodhë në transfertën sërish të vështirë gjirokastrite, Teuta me tri pikët e marra në Peqin ndaj Shkumbinit, vendosi sërish kandidaturën për titullin kampion. Dhe durrsakëve u ka mbetur peng ikja nga duart e titullit në kampionatin e 73-të. Dhe ndoshta në këtë të 74-tërtin, do të mundet të bëhet ajo që shumë pritet: titulli. 30 prilli i 1994-trës, kërkon binjaken e saj, apo fotokopjen më të spikatur, që do të thotë Teuta në majën e futbollin të vendit.

Hasanbelliu në presidencën e tij 13 vjeçare e dëshiron një gjë të tillë. Qytetaria dhe tifëzoëria durrsake e ëndërrojnë një gjë të tillë. Dhe urojmë të ndodhë kështu!

 

Përbërja e ekipit të Teutës për sezonin 2012-2013

Portjerë                 

01. Bledian    Rizvani          02.07.1985

02. Sulejman Hoxha            13.02.1990

Mbrojtës

03. Kristi        Marku            13.04.1995

04. Arian        Sheta              13.02.1981

05. Rustem    Hoxha            04.07.1991

06. Luiz Fernando De Almeida da Silva 14.01.1986

07. Akil          Jakupi            01.08.1982

08. Artan        Sakaj              08.12.1980

09. Rexhep    Memini          04.10.1994

Mesfushorë

10. Klajdi       Ruci                10.11.1992

11. Bledar      Mancaku        05.01.1982

12. Renato     Hyshmeri       04.03.1989

13. Altin         Hoxha            21.10.1990

14. Emiliano  Veliaj             09.02.1985

15. Flamur     Tairi                24.11.1991

16. Albi          Dosti               13.09.1991

17. Ansi         Nika                22.08.1990

18. Alfred      Deliallisi        28.03.1993

Sulmues

19. Isa            Eminhaziri     09.09.1987

20. Albano     Çaushaj          26.03.1990

21. Daniel      Xhafaj            01.05.1977

22. Enio         Petro               01.08.1993

23. Arbër       Çyrbja            18.09.1993

24. Almedin  Murati            18.09.1993

25. Leotrim    Pajaziti           19.07.1992

Stafi:

Edmond         Hasanbelliu   President

Eduart            Salillari          Sekretar i KF Teuta

Hasan             Lika                Trajner i parë

Oert                Kote                Trajner i dytë

Kujtim            Shtama           Trajner i portierëve

Neritan           Myderrizi      Mjek

Arjan              Shaba             fizioterapist

Ndeshjet zhvillohen në stadiumin Niko Dovana

Kapaciteti: 10.500 vende

Janë larguar nga sezoni i kaluar

1. Shaqir        Stafa

2. Andi           Bakiasi

3. Mirel          Çota

4. Brunild      Pepa

5. Tefik          Osmani

6. Eni              Naço  

Janë ofruar

Daniel            Xhafaj

Artan              Sakaj

Isa                   Eminhazeri

Sulejman        Hoxha

Albano           Çaushaj