Vazhdon tradita e bukur e kolanës së botimeve të Bibliotekës Publike Durrës, e filluar me rastin e 60 vjetorit të saj, shtator 2005, nga drejtuesja e këtij institucioni znj. Flora Dervishi. Në kuadrin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, botohet: Viset e preme, monografi për Gjergj Komninon.
E mësuar tashmë me tematikën tepër të përzgjedhur të këtyre botimeve, nuk befasohem edhe nga zgjedhja e figurës së kësaj monografie. Ka qenë dhe mbetet në tendencat e penës së autores, kërkimi, shpluhurosja e më pas përndritja e figurave, personaliteteve të cilat kanë qenë pre e oshilacioneve që ka sjellë me vete ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri.
Monografia “Viset e preme”, merr përsipër të ndriçojë kontributin e intelektualit Gjergj Komnino në kulturën shqiptare, ndonëse ajo “heshtohet”, hupet, apo ndalohet pas burgosjes së autorit (1957). Eshtë emocionuese të marrësh në duar këtë libër me autografin e autores të cilën e kam parë duke punuar e përkushtuar në mbledhjen e informacionit, në kërkimet e pashtershme, në kontaktet e takimet me të afërm të familjes së Gjergj Komninos, të cilët i kanë ofruar: fonotekën, materiale dorëshkrimore apo të publikuara, poezi, intervistime etj.
Kam parë ecejaket e saj, punën kërkimore në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe studimit të Arteve, Tiranë, në Arkivin Qendror të shtetit etj. Botimi i kësaj monografie bëhet enkas në jubileun e 70 –të krijimit të veprës së intelektualit të persekutuar Gjergj Komnino, Naimi- poeti njeri( tragjedi në vargje, 1943-2012).
Brendia e monografisë është konceptuar si një ngrehinë me dy kolona të forta, kolona e parë: Krijimtaria letrare e Gjergj Komninos: Shtatë vepra të botuara nga Marzocco, Firence në vitet 40-të, si dhe disa materiale dorëshkrimore. Kolona e dytë: veprimtaria kërkimore, janë 50 volumet me visaret e kombit të mbledhura nga Gjergj Komnino në vitet 1949-1857 të kyçura në arkivin e Insitutit të Kulturës Popullore, me kodin sekret: AF2.
Kur Gjergji punoi si bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Folklorit, në disa nga ekspeditat kërkimore folklorike, ishte me të shoqen Veronikën, si mbledhëse. (edhe ajo e koduar AF3). Një histori e hidhur e jetës së këtij çifti: më 1957 u prangosën. Veronika ishte 24 vjeç, me vajzën e vogël dhe përsëri shtatzanë.
Një burim i rëndësishëm për monografinë, ka qenë edhe vëllimi me poezi “Thërrime pagjumësie” i Veronika Dafo, ku ajo harmonizon dashurinë për vendin, jetën, kulturën dhe idhullin e saj Gjergj Komninon. Tepër interesant është takimi i autores me Gjergj Komninon. “Një takim në Kolose, Romë, shtator 1995. Ky takim, ishte dhe nuk ishte takimi im i parë me Gjergj Komninon., : thotë autorja Flora Dervishi.
Brenda këtyre dy ndarjeve të mëdha që shërbejnë edhe si kolona kryesore të monografisë, ka piketa ndërmjetëse që sjellin një informacion të rëndësishëm për lexuesin. Përmend këtu: Hipotezat për origjinën e familjes Komnino, mjedisin libror në shtëpinë e Komninove.
Si shumë studentë shqiptarë ndërpret studimet në Firence, i detyruar nga Lufta e Dytë Botërore dhe rreshtohet e në batalionin “Vullnetarët e lirisë”, diplomohet më pas në Zagreb dhe më pas emërohet në Durrës profesor letërsie në gjimnaz.
Autorja Flora Dervishi bën një ndalesë të veçantë tek tragjedia dhe poezitë e Komninos: -Tragjedia “ Naimi…”është ndërthurur sipas një skeme të njohur tipike për kohën dhe formimin letrar të Komninos. Notat e romantizmit, pranëvënia si “kolonë zanore”e hymneve natyrore të Naim Frashërit, lirizmi dhe tragjizmi i motivuar nga antagonizmi evolutiv bëhen mbizotëruese në veprën e Komninos.
Tragjedia e Komninos strukturalisht është e thjeshtë dhe nuk tenton të flasë me konvencionin si shpikje apo qëllim në vetvete. Galeria e personazheve e aktualizon tragjedinë dhe e angazhon në pasqyrimin e fenomeneve njerëzore të shoqërisë shqiptare.
Poezitë: Edhe tek Komnino tematika, në poezitë e pas çlirimit, është ajo e patriotizmit. Partizania mbetet në suazën e rievokimit të baladës së rinisë shqiptare, të elementit femëror. Këngëtori. Reminishencat e unit poetik nuk shmangen dhe shpallet poeti shpirtlirë apo alterego, që do ta shoqërojë atë tërë jetën.
Në përpjekjet e saj për të nxjerrë sa më shumë në pah këtë personalitet të baltosur, pluhurosur, autorja takohet edhe me Ada Kushin, pinjolle e Gjergj Komninos. Në një intervistë me të ajo shpreh keqardhjen e saj për lënien në errësirë të figurës së Gjergj Komninos dhe i shpreh mirënjohjen e saj autores për punën kërkimore prej 14 vitesh nga ana e Dervishit.
Për arsye joletrare, monografia në botim ka pësuar tkurrje, por përsëri ajo ngelet një oaz i dëshiruar për lexuesin e etur për informacion. Duke i uruar krijimtari të mbarë dhe penë të begatë autores Flora Dervishi, mbetemi në pritje të veprave të tjera, të cilat ashtu si dhe kjo monografi, janë rezultat i pasionit dhe seriozitetit në punën e saj me librin.