Arena “Wiener Stadthalle” në Vjenë është shndërruar në një spektakël ngjyrash dhe emocionesh me hapjen e edicionit të 70-të të “Eurovision Song Contest”, që mblodhi mijëra tifozë nga e gjithë Europa.
Me moton “Të Bashkuar nga Muzika” 35 shtete po garojnë për kurorën e kontinentit, në një vit që sjell rregulla të reja dhe emocione të forta. Plot 11 vjet pas organizimit të fundit, Austria është sërish mikpritëse e eventit më të madh muzikor evropian, pas fitores së këngëtarit JJ në vitin 2025. Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, e cila mbart një mesazh të fuqishëm dhe universal mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.
Performanca e tij në skenë është cilësuar si një ndërthurje e thjeshtësisë së tekstit me një motiv muzikor të thellë, gjë që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë gjigantin BBC. Gjatë një interviste në RTSH, Alis rrëfeu emocionet e provave dhe përgatitjet intensive për natën e dytë gjysmëfinale, ku do të ngjitet në skenë i 13-ti në radhë.
“Çfarë mund të them, është ëndërr. Në momentin e parë që kam shkuar për të bërë provat, nuk ndihesh sikur po bën provë, ndihesh sikur po të shikon e gjithë bota.
Kjo është pjesa më e bukur që përjetojnë artistët në Eurovizion. Fansat kanë një energji që nuk di si ta përshkruaj. Jam jashtë mase mirënjohës për gjithë mbështetjen e shqiptarëve dhe uroj t’i bëj sa më krenarë”, tha këngëtari Arlis.
Përtej garës, Alis theksoi klimën e shkëlqyer miqësore me artistët e tjerë konkurrues, duke lënë të hapur edhe mundësinë e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare pas përfundimit të festivalit. Këtë vit, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka forcuar rregullat e votimit në përgjigje të akuzave për manipulime në të kaluarën.
Numri maksimal i votave për person është përgjysmuar në 10, duke shtrënguar masat kundër aktiviteteve të dyshimta. Për të çuar Shqipërinë në finalen e madhe, mbështetja e diasporës është thelbësore. Por cilat janë procedurën e detajuar të votimit? Nëse janë pjesë e vendeve që janë pjesëmarrëse të Eurovizionit, mjafton numri 13 që është kënga përfaqësuese e Alis dhe gjithashtu kodet e vendeve të tyre.
Ndërsa nëse janë nga vende të tjera që nuk janë pjesë e Eurovizionit, ata mund të votojnë më datë 14 për këngën e Alis gjatë gjithë ditës së sotme. Nuk do të mund të votojnë në momentin që transmetohet drejtpërdrejt spektakli i Eurovizionit dhe do të mund të votojnë edhe pak minuta pasi kënga e Alis dhe pasi vetë spektakli të ketë përfunduar në mënyrë që votat e tyre të bashkohen si një buqetë dhe të na çojnë në finale. Shqipëria synon kualifikimin në finalen e madhe të së shtunës, në një garë që mbledh artistë nga e gjithë Europa dhe më gjerë.





