Filmi “Lidice” i regjizorit çek Petr Nikolaev rrëmbeu çmimin “Gladiatori i artë”, në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Juria ndërkombëtare, president i së cilës ishte aktori i njohur Mirush Kabashi, vendosi t’ia akordonte këtë çmim filmit çek, skenari i të cilit bazohej në një ngjarje të vërtetë të ndodhur gjatë Luftës së dytë Botërore, në Çekinë e pushtuar nga nazistët.
Çmimi iu dorëzua autorëve të filmit nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Meqë jemi në prag të 60-vjetorit të krijimit të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, organizatorët e festivalit kishin menduar një homazh i veçantë për dy prej aktorëve më të mirë të kësaj trupe ndër vite; Nikolin Xhojës dhe Vera Urumit.
Çmimi i karrierës për Nikolin Xhojën u tërhoq nga vajza e tij, Aksinja Xhoja, e cila, pasi falenderoi organizatorët për nderin e madh që iu rezervua Nikolinit në këtë natë speciale, ia dhuroi çmimin vajzës së saj, Marylin, duke shpresuar se dhe ajo do të ndjekë gjurmët e gjyshit, pasi i është përkushtuar botës së artit. Moment shumë i bukur ishte kur aktorja e njohur Vera Urumi u ngjit në skenë për të tërhequr çmimin e saj.
“Përveç emocioneve të shumta që po ndjej për çmimin e marrë, një emocion më shumë është fakti që ky çmim po më jepet nga duart e mikut dhe kolegut tim të shumë viteve Lutfi Hoxha. Ndjehem vërtet mirë për këtë çmim, por njëkohësisht ndjej keqardhje pasi vetëm unë dhe Lutfiu kemi mbetur gjallë nga ai grup që shumë vite më parë kontribuoi për ngritjen e trupës teatrore të qytetit tonë”,- tha mes emocioneve Urumi.
Ndërkohë filmi francez “Ministri” arriti të fitojë dy nga çmimet më të rëndësishme të kësaj nate, atë të regjizorit dhe aktorit më të mirë. Skenari më i mirë u konsiderua “Scialla”, film i skenaristit dhe regjisorit italian Francesco Bruni. Filmi slloveno-kroat "Natën e mirë zonjushë" i regjisorit Metod Pevec u shpall më i miri në seksonin "Botë Ballkanike".
I vetmi produksion shqiptar në garë, filmi i regjizorit kosovar Ekrem Kryeziu, “Kodi i jetës” u nderua me çmimin e publikut. Në fjalën e rastit pas tërheqjes së çmimit Kryeziu u shpreh se megjithëse kishte marrë shumë çmimeve gjatë karrierës së tij, ky ishte më i rëndësishmi pasi po i jepej për një film që ai e ka fort për zemër.
Filmi “Kodi i jetës” rrëfen historinë e dy personazheve në vitet 1998-1999, vite këto mjaft të hidhura për historinë e Kosovës. Përmes ngjarjeve të filmit rrëfehet drama dhe dhimbja, vuajtjet dhe persekutimi i popullsisë kosovare nga ushtria serbe e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviç.
Ndërkohë Kosova gjatë kësaj nate u nderua edhe më një çmim tjetër, pasi në kategorinë e filmave të shkurtër të studentëve shqiptarë, çmimi “Bukuroshja e Durrësit" iu dha regjisorit të ri kosovar Blerdi Malushi për filmin "Akropolis". Filmi serb, “Luanët e bardhë” i regjisorit Lazar Ristovski mori çmimin FIPRESCI.
Nata e fundit e këtij festivali regjistroi një surprizë të këndshme për publikun, përmes lidhjes virtuale që organizatorët e këtij eventi realizuan me regjizorin e madh çek Milos Forman. Në pamundësi për të ardhur në Shqipëri në ditët e mbajtjes së këtij eventi kulturor Forman falenderoi për çmimin e karrierës dhe premtoi se në të ardhmen do të vijë në vendin tonë.
NDERIMI
Urumi dhe Xhoja, çmim karriere
Përveç emocioneve të shumta që po ndjej për çmimin e marrë, një emocion më shumë është fakti që ky çmim po më jepet nga duart e mikut dhe kolegut tim të shumë viteve Lutfi Hoxha. Ndjehem vërtet mirë për këtë çmim, por njëkohësisht ndjej keqardhje pasi vetëm unë dhe Lutfiu kemi mbetur gjallë nga ai grup që shumë vite më parë kontribuoi për ngritjen e trupës teatrore të qytetit tonë”,- tha mes emocioneve Urumi.
Çmimet e festivalit ndërkombëtar të filmit
Filmi më i mirë (çmimi “Gladiatori i Artë”)
LIDICE nga Petr NIKOLAEV
Regjizori më i mirë
PIERRE SCHöLLER me “THE MINISTER”
Aktori më i mirë
Olivier GOURMET në “THE MINISTER”
Aktorja më e mirë
Agata KULESZA në “ROSE”
Skenografia më e mirë
Francesco BRUNI në “SCIALLA”
Filmi më i mirë ballkanik (“Gladiatori i Argjentë”)
“GOOD NIGHT,MISSY” nga Metod PEVEC
Çmimi i publikut
“Kodi i jetës” nga Ekrem KRYEZIU
Çmimi i FIPRESCI
“WHITE LIONS” nga Lazar RISTOVSKI
Çmimi për filmat me metrazh të shkurtër
ACROPOLIS nga Blerdi MALUSHI
Çmimet e karrierës
Nikolin XHOJA – aktor
Vera URUMI – aktore
Milos Forman – regjizor