Sezoni veror në bregdetin e Durrësit ka shkuar drejt përmbylljes nën mbikqyrjen e plotë të efektivave dhe strukturave policore të shtetit. Të dhënat e sezonit të këtij viti krahasuar me një vit më parë janë më pozitive në drejtim të sigurisë së rendit e të qetësisë. Për të përballuar periudhën e sezonit turistik policia e Durrësit ka hartuar një sërë plane masash, të cilat kanë synuar vënien nën kontroll të plotë të situatës.

Durrësi ka disa plazhe të cilat nisin në veri të qarkut dhe në kufi me qarkun e Kurbinit për të përfunduar në jug të Kavajës me një gjatësi mbi 40 km vijë bregdetare, e cila frekuentohet nga qindra e mijëra pushues vendës dhe turistë të huaj. Në këtë kuadër policia ka ndërmarrë një sërë masash të cilat kanë pasur synim kontrollin e trafikut rrugor, trafikun e qenieve njerëzore, kontrabandën, sigurinë në mjedise publike apo edhe luftën kundër trafikut të drogës.

Të gjithë segmentet rrugore, autostrada Tiranë-Durrës dhe superstrada Durrës-Rrogozhinë janë mbikqyrur gjatë 24 orëve me patrulla policie dhe postblloqe të ndihmuar nga radarë. Këtë vit Durrësit është vënë në qendër të vëmendjes në drejtim të mbështetjes me efektiva shtesë të sektorëve të kualifikuar për luftën dhe parandalimin e trafiqeve apo akteve të tjera kriminale.

Në plazhet me popullim të madh janë shtuar patrullimet, postblloqet, investigimet dhe kontrollet. Krerë të lartë të policisë së qarkut e kanë cilësuar sezonin e këtij viti si ndër më cilësorët në drejtim të sigurisë dhe rendit në mjediset e akomodimit të pushuesve. Gjatë këtyre muajve, ndonëse nuk kanë munguar aktet kriminale, ka pasur më pak vjedhje, grabitje, aksidente, plagosje, kanosje etj.

Policia e Durrësit është mbështetur nga efektivat e policisë së Kosovës për të mbikqyrur trafikun rrugor në zonën turistike të Durrësit. Kjo ka pasur efekte të drejtpërdrejta, pasi ka mundësuar krijimin e një klime më të besueshme në trafikun rrugor përgjatë zonave bregdetare. Pikat më të frekuentuara nga uniformat blu të policisë së shtetit kanë qenë zona turistike nga Ura e Dajlanit në Plepa, Shkëmbi i Kavajës, Gjiri i Lalësit, Currila etj që rezultojnë të jenë plazhet më të frekuentuara.

Në të njëjtën kohë burimet policore bëjnë të ditur se ndërgjegjësimi i popullsisë për të ndihmën e shërbimeve policore në raste të ndryshme ka ardhur duke u rritur, tregues pozitiv ky që dëshmon besimin e popullatës tek forcat e rendit. Gjatë kësaj periudhe në sallën e shërbimit operativ policor kanë mbërritur gjithsej 13.663 telefona nga qarku i Durrësit nga rreth 10.600 që janë regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Masa të përforcuara gjatë sezonit

Që nga fillimi i sezonit turistik Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës ka hartuar një plan të posaçëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik.  Në fillim të sezonit turistik ka qenë Njësia e Qarkullimit Rrugor që ka nisur një fushatë sensibilizimi në zonën e Plazhit për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Duke shpërndarë fletëpalosje tek çdo automjet që ka hyrë në zonën e Plazhit për dy ditë me ardhë, strukturat e policisë rrugore kanë premtuar se kjo fushatë do të ndikonte në uljen e numrit të aksidenteve rrugore, sidomos në zonën turistike. Patrulla të shumta të përbërë nga efektivë me uniform të policisë si dhe grupe të tjera nga agjentë civilë të policisë kriminale, kanë qenë vazhdimisht në ndjekje të personave të skeduar si vjedhës të çantave, varëseve, byrzylykëve apo sendeve të tjera me vlerë.

Në mbikqyrjen e këtyre grupeve kanë qenë stacionet e mbërritjes së autobuzëve nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë qenë të shpërndarë në më shumë se 10 pika të ndryshme duke nisur nga stacioni “Teuta” deri në sektorin “Iliria” në një shtrirje prej rreth 3 kilometrash.

Stacionet e mbërritjes së autobuzëve nga Kosova dhe Maqedonia kanë qenë vendet më të populluara për shkak të zbritjes së pasagjerëve nga rreth 50 autobuzë që mbërrijnë mesatarisht në një ditë në plazhin e Durrësit. Përveç pasagjerëve, në këto vende ka pasur edhe një numër mjaft të madh banorësh të zonës.

Një dyndje e madhe e popullsisë në këto pika ka pasur vazhdimisht vëmendjen e efektivave civilë të policisë kriminale si dhe të patrullave të tjera që kanë qenë në lëvizje me automjetet e drejtorisë së policisë së qarkut. Një tjetër vepër penale e hasur shpesh gjatë sezonit turistik ka qenë edhe ajo e vjedhjes së automjeteve. Pak ditë më parë strukturat policore kanë finalizuar operacionin “Fundi i verës”, duke vënë në pranga dy persona që akuzohen për vjedhjen e së paku 10 autoveturave të shtetasve nga Kosova që kishin ardhur për pushime në Durrës.

Operacioni i koduar “Fundi i Verës” çoi në ndalimin e dy shtetasve, të dy me preçedentë të mëparshëm në fushën e vjedhjes së automjeteve, të cilët akuzohen për kryerjen e të paktën 10 vjedhjeve të mjeteve përgjatë këtij sezoni veror. Bëhet fjalë për shtetasit Alfred Prenga, 29 vjec, banues në Laç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Valter Ahmetaj, 28 vjec, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.

Të dy këta persona, sipas policisë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë sezonit veror 2012, në zonën e Plazhit Durrës kanë mundur të vjedhin 19 automjete të markave e prodhimeve të ndryshme të pushuesve kosovarë. Automjetet janë vjedhur në rrugën dytësore midis sektorit “Hekurudha” dhe sektorit “Iliria”.

Policia ka bërë të ditur në mënyrë të detajuar të dhënat për secilin automjet si dhe pronarët përkatës të tyre. Vjedhjet janë kryer përgjatë periudhës nga fundi i muajit qershor deri në mesin e muajit gusht të këtij viti. Policia ka sqaruar se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 çelësa hekzagonalë 12 mm, të cilët përdoreshin për hapjen e dyerve të mjeteve.

Më i çuditshëm është fakti se të gjitha automjetet e vjedhura në zonën e Plazhit janë shitur me një shumë qesharake prej 30 mijë lekësh secili në pikat e skrapit në qytetin e  Laçit.

Prova materiale të sekuestruara

Nga antidroga dhe trafiqet

Lëndë narkotike e llojit Canabis Sativa 999 kg e 715.22 gram

Lëndë narkotike e llojit heroinë 43 kg e 583.85 gram

Lëndë narkotike e llojit kokainë 891.30 gram.

Fara te bimës narkotike 841 fara, ose të peshuara 67.04 gram

35 automjete te llojeve te ndryshme

1 motocikletë

2 automatikë model 56, 26 fishekë

37 telefona celularë dhe 43 karta SIM.

Një sasi prej 8.776 euro e 1.815.000 lekë

Një peshore elektronike

Dy granata difensive

Një pajisje metalike për grirjen e hashashit   

Nga krimi ekonomik

86.000 euro të padeklaruara në kufi

130 aparate celularë të cilët tregtoheshin kontrabandë

20 makineta të lojërave të fatit

3 tollona karburanti të falsifikuara

2 prerje 5 mijë lekëshe të vjetra  dhe 2 prerje 10 mijë lekëshe të vjetra të fallsifikuara

Statistika

Telefonata gjithsej 13.663 raste

Ndihmë publikut –  6427 raste

Prishje rendi – 276 raste

Dhunë në familje – 182 raste

Ngjarje kriminale – 14 raste

Sinjal banke – 36 raste